Kusari – Lila: Saliu humbi jetën, aty ku bëri historinë, tek Ura e Fshejtë

Policia ende nuk e ka konfirmuar vdekjen e Sali Gërqinës

Gjatë ditës së djeshme u raportua se kampioni i shumëfishtë i kërcimit në ujë, Sali Gërqina, është zhdukur pas hedhjes së tij nga bregu tek Ura e Fshejtë në Gjakovë.

Ndërkaq, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila sot përmes një shkrimi në Facebook tha se Gërqina vdiq, ani pse siç thotë ajo trupi i tij ende nuk është gjetur, shkruan rtv21.tv

“Dje pasdite ka humbur jetën tragjikisht, kampioni i shumëfishtë i kërcimit nga “Ura e Fshejt” Sali Riza Gërqina. Dallëndyshja e Gjakovës, me fotot e tij unike, u bë lajm i shtypit e mediave më të njohura botërore duke e promovuar, kultivuar dhe vazhduar në të njëjtën kohë traditën shekullore të legjendave e trimave të shumtë të këtij sporti dhe vendit të tij. Saliu humbi jetën, aty ku bëri historinë, tek Ura e Fshejt. Trupi i të ndjerit ende nuk është nxjerrë nga uji, ndërsa zhytësit e FSK do të vazhdojnë kërkimin sot gjatë ditës. Në emër të Komunës së Gjakovës, në emrin tim personal, ngushëllime familjes, shoqërisë, sportistëve dhe klubit të kërcyesve. Prehu në paqe kampion”, ka shkruar Kusari- Lila në shkrimin e saj.

Në anën tjetër rtv21.tv kontaktoi me policinë rajonale në Gjakovë të cilët deklaruan se ekipet e shpëtimit ende nuk e kanë gjetur trupin dhe janë ende në kërkim të personit të zhdukur./21Media

 

Back to top button