Kushtetuesja: MASHTI s’mund t’i përcaktojë vetes kompetenca që s’i janë përcaktuar me ligj

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi Aktgjykimin e rastit të parashtruar nga Komuna e Kamenicës, e cila, kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për “Kriteret dhe Procedurat e Themelimit dhe Pushimit të Veprimtarisë së Institucioneve të Arsimit Parauniversitar”.
Në vlerësimin e kushtetutshmërisë Gjykata, njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme dhe disa nene të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe si të tilla, shfuqizohen.
“Thelbi që ngërthejnë rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me kompetencat që i janë përcaktuar pushtetit qendror, përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në njërën anë, dhe pushtetit lokal, përkatësisht komunave në anën tjetër, përkitazi me themelimin e institucioneve edukative-arsimore dhe paraleleve të ndara në komuna, përmes Udhëzimit të lartcekur Administrativ. I njëjti, ndër tjerash, saktëson se vendimi për themelimin dhe pushimin e institucioneve edukative-arsimore dhe paraleleve të ndara të nivelit parauniversitar, merret nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, bazuar në propozimin e komunës përkatëse. Vendimmarrja në nivel të pushtetit qendror, përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përkitazi me themelimin/pushimin e institucioneve edukative-arsimore dhe paraleleve të ndara në nivel parauniversitar, sipas parashtruesit të kërkesës, cenon përgjegjësitë komunale, në kundërshtim me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ato të ligjeve të aplikueshme për Arsimin Parauniversitar, Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës dhe për Vetëqeverisje Lokale, sipas të cilit, ofrimi i arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit, përbën kompetencë vetanake të komunave dhe si e tillë, është kompetencë e plotë dhe ekskluzive në nivel komunal”, thuhet mes tjerash në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Back to top button