Kushtetuesja po e shqyrton ankesën e Listës Serbe

Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se është duke e shqyrtuar ankesën e Listës Serbe lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e pakicës serbe.
Lajmin për RTV21 e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj gjykate, Veton Dula.
“Kjo kërkesë aktualisht është duke u proceduar nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në konfirmim.
Sipas aktgjykimit të plotë, Kuvendi nuk ishte i konstituuar, kështu që Gjykata u kërkoi deputetëve të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë. Në vendimin e Kushtetueses u nënvizua se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, por nuk ka lejuar veto bllokuese. /RTV21/21Media