Kuvendi i Serbisë miraton raportin për dialogun me Kosovën

Kuvendi i Serbisë miratoi mëngjesin e së enjtes raportin për dialogun me Kosovën.
Për miratimin e dokumentit të titulluar “Raporti për procesin e negociatave me ‘institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes’ në Prishtinë”, votuan 205 deputetë, ndërsa kundër ishin 57.
“Raporti është i shkruar në 50 faqe dhe liston aktivitetet në kuadër të përgatitjes dhe realizimit të negociatave”, përfshirë: Asociacionin e komunave me shumicë serbe, policinë, gjyqësorin, energjinë, odat ekonomike, transportin e mallrave të rrezikshme, si dhe të zhdukurit, që gjenden në kapitullin e fundit.
Debati në Kuvendin e Serbisë për këtë raport zgjati dy ditë.
Gjatë prezantimeve të tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai po ashtu shtoi se duhet të gjendet një zgjidhje realiste për Kosovën dhe se politika reale nuk mund të bazohet në mite.
Partia më e madhe opozitare në Serbi, Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, nuk votoi për miratimin e raportit.
Zyrtari i lartë i kësaj partie, Borko Stefanoviq, u tha gazetarëve se raporti nuk përmban propozime për zgjidhjen e problemit të Kosovës.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë prezantimit të tij tha se, Kosova është e pavarur nga Serbia.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Kosova thotë se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, por Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./rel

Back to top button