Kuvendi i Shqipërisë voton kundër rezolutës për gjenocidin serb në Srebrenicë

Ditën e sotme është hedhur poshtë kërkesa e deputetëve të grupit të Rithemelimit të PD-së, për të miratuar një rezolutë për krimet e Serbisë në Srebrenicë.
Deputetët e mazhorancës e kanë hedhur poshtë këtë rezolutë duke theksuar se nuk do t’i japin Berishës asnjë mundësi të ndërmarrë nisma të tilla.
Në momentin që është hedhur vota kundër kësaj nisme të opozitës, ish-kryeministri Sali Berisha i ka filmuar me telefon ata që kanë votuar kundër.
Ndërkohë kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla akuzoi Berishën se ka furnizuar me naftë Serbinë, pavarësisht një vendimi të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për embargo.
Nga ana e tij Berisha mohoi çdo akuzë që bëri Balla duke thënë se ka qenë kundër embargos së vendosur kundër Kosovës.
“Votimi që ju bëtë sot kundër rezolutës i shërben vetëm Aleksandër Vuiçiçit. Po çfarë mund të presësh nga kreu i një organizatë kriminale, nga një skllav i Aleksandër Vuçiç, si mund të silleni kështu si kope. Së fundi një sqarim, Sali Berisha ka mbajtur çdo qëndrim kundër kontrabandës, dhe ka respektuar çdo embargo që është vendosur nga OKB. Ju me votimin e sotëm të turpshëm, shkelët gjakun e 8 mijë viktimave në Bosnje”, ka thënë ai./oranews
Srebrenicë

Back to top button