Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të mbajnë seancë plenare nga ora 10:00.

Në pikat e rendit të ditës do të jenë shqyrtimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës, nr. 02/03 datë 05.06.2020, për ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit, si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm.

Pika e katërt do të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar.

Deputetët do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Në rendin e ditë janë edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet BE dhe Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet BE dhe Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020” dhe shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Kosovës për 2019.