​Kuvendi miraton Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2023-2027

(Lajm i përditësuar)

 

Kuvendi i Kosovës, me 79 vota për, ka miratuar Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2023-2027. Ky program përmban një sërë masash për zbatim, përfshirë miratimin edhe të 29 projektligjeve të reja. Edhe pse deputetët e partive opozitare votuan për këtë program, ata kritikuan ekzekutivin se e ka bllokuar procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se buxheti i tërësishëm për zbatimin e këtij programi është mbi 47 milionë euro.

“Buxheti i tërësishëm për zbatimin e programit arrijnë shifrën e 47 milionë e 129 mijë euro, prej të cilave nga buxheti shtetëror janë siguruar 29 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 17 milionë euro nga partnerët zhvillimor. Rrjedhimisht s’ka asnjë vakum buxhetor për zbatimin e këtij programi”, ka thënë ai.

Mirëpo, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, është shprehur e habitur se si mund të vazhdohet me miratimin e reformave evropiane, derisa delegacionet e Kosovës nuk po marrin pjesë në takime me BE-në për shkak të masave që janë vendosur ndaj Kosovës.

“Si mund të vazhdohet reforma jonë si shtet në përmbushje të obligimeve që i kemi marrë karshi Bashkimit Evropian, derisa ne sot votojmë dhe në anën tjetër delegacionet e Kosovës nuk marrin pjesë në takime për shkak të sanksioneve të cilat tashmë i kanë vendosur zyrtarët e BE-së”, deklaroi Deliu.

Kritike ndaj ekzekutivit është shprehur edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

“Të flasim sot për procese të integrimit është kontradiktore dhe mbase e pabesueshme, pasi BE-ja është duke diskutuar dhe vendosur masa kundër Kosovës në procesin e integrimit. Duke qenë se gjendemi në një fazë në të cilën nuk po kërkohet përmbushje e masave legjislative, por ndërmarrje e veprime konkrete për shtensionim të situatës”, tha ajo.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, është shprehur pesimiste se Kosova do të ketë lajme pozitive për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për shkak të situatës në veri.

“Kjo qeveri e ka bllokuar rrugën e vet evropian. Aty ku kemi aplikuar, qoftë për anëtarësim në BE, nuk do të kemi asnjë veprim pozitiv. Por edhe në Këshillin e Evropës besoj se do të bllokohet dhe Kosova nuk do të arrijë të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës”, theksoi ajo.

Në këtë seancë, deputetët kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative.

Po ashtu, është miratuar në lexim të dytë edhe Projektligjin për Kinematografinë


Kusari-Lila: Para agresionit të Serbisë të gjithë duhet të jemi bashkë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar unitet mes spektrit politik në Kosovë, në raport me Serbinë.

Në seancën e Kuvendit, Kusari-Lila ka thënë se para agresionit serb në Kosovë, me rastin e kidnapimit të tre zyrtarëve policorë, legjislativi duhet të përçojë mesazhin e unitetit.

“Sot ky Kuvend me të drejtë e përçon mesazhin e unitetit dhe mesazhin se para agresionit të Serbisë të gjithë jemi bashkë, por mbi të gjitha jemi në krye të detyrës sonë si deputetë. Unë ndaj një mendim tjetër nga kolegët në raport me punën tonë sot. Po, pajtohem plotësisht dhe tashmë i kemi bërë ftesë kryeministrit që kur e ka kohen e përshtatshme të vijë dhe të diskutojmë temën me rëndësi të lartë për Kuvendin”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur edhe fjalimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të mbajtur dje në Parlamentin Evropian, derisa ka thënë se në të njëjtën ditë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ishte krah për krah me ambasadorin e Rusisë.

“Dje presidentja e Kosovës mbajti fjalimin historik në Parlamentin Evropian, duke u thirrur në të gjitha vlerat ku secila parti që ka kaluar në këtë Kuvend ka përfaqësuar ndër vite, po ashtu duke e prezantuar Kosovën në ngjyra dhe mënyrën më të mirë të mundshme. Në të njëjtën ditë, presidenti i Serbisë është krah për krah me ambasadorin e Rusisë për të festuar ditën e Rusisë. Kjo është ndarja që Serbisë iu bë nga Rusia, gjithmonë në thonjëza”, ka deklaruar ajo.


Opozita kërkon raportimin e Kurtit për rrëmbimin e policëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të raportojë për situatën aktuale në vend pas kidnapimit të policëve të Kosovës nga Serbia.

“Ju ftoj ta ftoni kryeministrin Kurti të vijë në sallë dhe të na njoftojë për hapat qe është duke i marrë për kthimin e policëve. Ju ftoj të kontaktoni menjëherë me kryeministrin dhe kabinetin e tij që të caktojmë një seancë. Nuk është e drejtë që ne të sillemi dhe të vazhdojmë sikurse asgjë të mos ketë ndodhur. Sot duhet ta kemi kryeministrin këtu dhe të vijë të raportojë. Kemi nevojë që të diskutojmë dhe të jemi të koordinuar me njëri-tjetrin”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Arben Gashi, tha se e dënojnë agresionin e Serbisë me rastin e kidnapimit të policëve në territorin e Kosovës.

“Në emër të LDK e dënojmë fuqishëm agresionin e Serbisë duke kidnapuar policët. Është një veprim i cili në asnjë rrethanë nuk duhet të përsëritet. Në emër të LDK-së kërkojë që të bëhet në një kohe sa më të shkurtet të bëhet kthimi”, theksoi Gashi.

Ai kërkoi raportimin e kryeministri Albin Kurti, për situatën në veri dhe rrëmbimin e policëve. Gashi tutje ka deklaruar se kërkojnë që Kurti të raportojë edhe për raportet me SHBA-në dhe përfaqësuesit e BE-së.

Kurse shefi i gurpit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ajo çka çfarë ka ndodhur të mërkurën ka qenë provokim i drejtpërdrejtë dhe është një akt që duhet të dënohet.

“Edhe nëse Qeveria harron, populli nuk harron. Kjo porosi që e kemi vendosur është për SHBA-në, NATO-n dhe BE-në. Sot kryeministri habitet pse po rri në heshtje faktori ndërkombëtar. Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar urgjentisht të bëjë thirrje për lirim të policëve. Veprimet amatoreske në veri të Kosovës dhe shpërfillja e ndërkombëtarëve ka sjellë në këtë situatë. Në emër të grupit parlamentar kërkojmë nga kryeministri të vijë dhe të raportojë. Nuk ka asnjë logjikë kur në mëngjes takohet Këshill i Sigurisë të sillemi zakonshëm”, ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të vazhduar seancën plenare.

Kjo seancë, e cila do të trajtojë pikat e papërfunduara të seancave të kaluara, do të fillojë nga ora 12:00.

Rendi i ditës:

I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 qershor 2023:

15. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-192 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit,

16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-176 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr. 05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative,

17. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-202 për Kinomatografinë,

18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-205 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,

19. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2023-2027,

20. Propozimi i një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës,

21. Shqyrtimi i propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-336, të Seancës plenare të datës 21.07.2022,

22. Emërimi i dy (2) anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

23. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

II. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 6 dhe 7 prill e 7 qershor 2023:

4. Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,

III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur 20 prill 2023:

7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,

8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,

9. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,

10. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

IV. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 26 prill 2023:

1. Votimi i Propozim Rezolutës nga debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

V. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 4 maj 2023:

6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,

7. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,

8. Shqyrtimi i parë i Projektligji nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/l-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172,

9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme,

10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,

11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

12. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/136, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë,

13. Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

Back to top button