Pezullimi i certifikatës së “Klan Kosova”, Saraçini Kelmendi: Derisa KPM nuk ka gjetur ndonjë shkelje, kjo nuk mund të bëhet

Drejtoresha Përgjithshme e RTV21 njëherësh Kryetare e Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës, Afërdita Saraçini Kelmendi ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, gjegjësisht Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve (ARBK) për të pezulluar certifikatën e biznesit të shoqërisë tregtare “Klan Kosova sh.p.k”. Saraçini Kelmendi e ka cilësuar këtë veprim si të pamatur.

Ajo po ashtu ka thënë se licensa e transmetimit nuk revokohet nga organet e Qeverisë, pasi që sipas saj Televizioni i jep përgjegjësi vetëm Komisionit te Pavarur te Mediave (KPM).

“Pezullimi i certifikatës se ndërmarrjes biznesore Klan Kosova, është i pamatur karshi një Televizioni shumëvjeçar, te etabluar e me programacion gjithëpërfshirës! Televizioni si koncept është institucion! Dhe kur ke të bësh me një institucion, atëherë edhe hapat karshi tij nuk duhet të behën në mënyre arbitrare! Në hetime mund të dërgohen bartësit e regjistrimit e jo Televizioni , stafi e programi! Nuk mbyllet e ndalohet Televizioni! Nuk revokohet licenca e transmetimit nga ana e asnjë organi te qeverise ngase Televizioni i jep përgjegjësi vetëm KPM ( Komisionit te Pavarur te Mediave) ! Mund te ndalet puna e administratës, e pagesave deri ne sqarimin e situatës, por jo e gazetarëve dhe transmetimit! Deri sa KPM nuk ka gjetur ndonjë shkelje që ka të bëjë me transmetimet dhe programacionin kjo nuk mund të bëhët!“, ka shkruar Saraçini Kelmendi në Facebook.

Drejtoresha e përgjithshme e RTV21, Afërdita Saraçini Kelmendi ka vlerësuar se mënyra si është bërë ky veprim është i rrezikshëm për pavarësinë e mediave.

“Prandaj te gjithë ata qe mendojnë se është i kollajshëm rrënimi dhe mbyllja e një Televizioni shumëvjeçar e kane gabim! Puna e Televizionit Klan Kosova është publike dhe ka audiencën e vet dhe nuk mund të vlerësohet nga shkrimet e kundërshtarëve te FB ose te atyre qe nuk e duan pronarin! Pa hyre me tutje ne argumentime të kota popullsite vlerësoj se mënyra e veprimit është e rrezikshme për pavarësinë mediale të Kosovës! Spektri medial ne Kosove është shumëngjyrësh dhe këtu qëndron edhe fuqia mediale e Kosovës por edhe demokracia funksionale e një vendi.”, ka vijuar ajo.

Më tej Saraçini Kelmendi ka thënë nëse te tentohet që të pushohet puna e një mediumi të madh, kjo dëshmon përpjekje te kontrollit të hapësirës mediale të Kosovës.
“…me ketë edhe të fjalës e shprehjes së lirë! Cenimi i fjalës e shprehjes se lirë është fillimi i fundit të demokracisë së këtij vendi! Zbatimi i politikës se këtillë karshi medias na bën t’ i ngjajmë Serbisë, e cila se fundi po vepron në të njëjtën mënyre karshi dy- tri mediumeve te fundit te pavarura atje! Se fundi, televizionet shumëvjeçare ne Kosove, janë pjese e ndërtimit dhe ngritjes se kapaciteteve institucionale e shtetërore të Kosovës! Janë hisedar ne ndërtimin e shtetit dhe i takojnë Kosovës. Jo politikaneve dhe vendimmarrjes se tyre për t’ i mbyllur apo hapur ato kur ata duan!”, ka përfunduar Afërdita Saraçini Kelmendi.

Lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ndaj “Klan Kosova sh.p.k” ka reaguar dhe Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), duke thënë se janë në dijeni për rastin në fjalë dhe se janë duke analizuar konform Ligjit për KPM-në.
“Rasti do të trajtohet në mbledhjen e KPM-së të premten më 16 qershor 2023”, ka thënë KPM-ja në njoftimin në Facebook./21Media

Back to top button