Kuvendi miraton Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes

(Lajm i përditësuar)


Kuvendi i Kosovës, ka miratuar Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në seancën e sotme plenare.

Deputetët zgjodhën edhe një anëtar në Këshillin Shtetërorë të Cilësisë në Agjencinë kosovare të Akreditimit.

Pas kësaj, deputetët shkuan në pauzë deri në orën 16:00.


Miratohet në lexim të parë projektligji për faljen e 100 eurove të tatimit në pronë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për pronën e paluajtshme, që mundëson faljen e 100 eurove të tatimit për këtë vit.

Pro këtij projektligji votuan 61 deputetë, ndërsa dy të tjerë abstenuan, ndër ta edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. Ndërkaq, partitë opozitare nuk morën fare pjesë në votim.

Ky projektligj u përcoll me debate të shumta ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, të cilët kërkuan që i njëjti mos të miratohet pasi rritë tatimin në pronë


Falja e 100 eurove të tatimit, Murati përplaset me deputetët opozitarë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputetët e partive opozitare për Projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme.

Në seancën e sotme të Kuvendit, ministri Murati tha se përmes këtij projektligji falen 100 euro të faturës së vitit aktual të tatimit, nga e cila sipas tij, përfitojnë 95 përqind të qytetarëve. Ai po ashtu tha se nga viti 2025, do të fillojë edhe tatimi progresiv.

“Me këtë projektligj, çfarë kemi propozuar është që për vitin aktual të zvogëlohet barra e tatimpaguesve për secilin deri në 100 euro, aq sa është vlera e faturës për vitin aktual. Kjo pra prek 95 për qind të qytetarëve. Çështja e dytë ka të bëjë me periudhën kalimtare për vitin e ardhshëm, ku pragu prej 0.15 për qind ulet në 0.10 për qind për të gjithë. Dhe, për vitin 2025 e tutje, është propozu që të ketë tatim progresiv, pra të përshkallëzuar, e ku me lirimet e përshkuara për pronën primare duhet të arrihet vlera prej 275 mijë euro e pronës ose të tejkalohet, në mënyrë që të fillojë të paguhet më shumë. Pra, kushdo që është nën 275 mijë të vlerës së pronës, i bie të paguajë më pak”, tha ai.

Por deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh kundër këtij projektligji, derisa akuzoi ministrin Murati se po e rrit tatimin në pronë.

“Kah po doni me dërgu këtë vend, qysh po mendoni me kriju një perspektiv për të ardhmen e këtyre qytetarëve duke rënduar jetën në secilën sferë të mundshme ku keni mundësi. Prandaj si GP i PDK-së ju bëjmë thirrje deputetëve të mos e votojnë një projektligj të tillë”, theksoi Tahiri.

Kritike u shpreh edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se përmes tatimit progresiv, do t’iu vështirësohet puna bizneseve.

“Ju tentoni t’iu vështirësoni jetën bizneseve, atyre të cilave që sot po kanë problem me vazhdu kontratat e eksportit, për shkak se Kosova është nën sanksione. Sot vjen këtu dhe të vetme politikë që ke pru është me shtrenjtu atyre tatimin në pronë, me bërë tatimin progresiv. Asnjë reformë tjetër fiskale s’ke arrit me bërë”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se përmes faljes së 100 eurove të tatimit në pronë zvogëlohen të hyrat e komunave.

“Nëse ky ligj vjen edhe i fal 100 euro për qytetarët e Kosovës, mendoj se shumica e komunave do të humbin. Kemi kundërshtuar këtë projektligj pasi i zvogëlon të hyrat e komunave”, tha Lekaj.

Duke iu kundërpërgjigjur deputetëve opozitarë, ministri Murati tha se përmes tatimit progresiv, synojnë që ndërtimtarët të cilët i mbajnë banesat pa i shitur, t’i lirojnë ato në treg

“Deri më tani çka ka ndodhë është që, sikur dikush që e ka pasur një banim primar, sikur dikush që i ka pasur 20 banesa si ndërtimtar e i ka mbajtur pa shitur – në mënyrë që të ndikojë në mungesë të ofertës dhe kësisoj ta mbajë çmimin e lartë – kanë paguar njësoj tatim. Këtë po tentojmë ta ndryshojmë. Në momentin që atij që i mban 20 banesa pa shitë, sepse do ta bllokojë tregun, i bëhet më shtrenjtë patjetër atëherë do t’i lëshoj ato në treg dhe kësisoj ndikon edhe në reduktimin e çmimit. Është pozitive për ata që kanë nevojë të blejnë banesa. Pra, do të mundësohet të ketë banim më të përballueshëm edhe për ta, sepse do të ketë ofertë më të madhe në treg sepse do të bëhet më shtrenjtë për t’i blloku stokun e banesave të pashitura…E di që për disa ndërtimtarë do të bëhet më vështirë, mirëpo ne e kemi premtuar si qeveri që sa i përket politikave tatimore do të ketë progresivitet”, tha Murati.


Vazhdohet edhe për dy vjet njohja e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin që i vazhdon edhe për dy vjet njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Këtë projektligj e arsyetoi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, derisa tha se afati për aplikim do të jetë deri më 15 maj 2025.

“Propozimi është që aplikimi për njohjen e statusit për të gjithë personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës të vazhdohet edhe për dy vjet, më konkretisht deri më 15 maj 2025”, tha ai.

Por, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se nuk duhet të ketë afat kohor për njohjen e statusit të viktimave seksuale gjatë luftës.

“Afati nuk duhet të jetë i zgjatur vetëm për dy vjet, duhet të jetë afat i lirë. Pavarësisht se kur viktima në çfarëdo rrethane ndihet i lirë për të adresuar çështjen e vet që e trajton atë si viktimë civile, procesi duhet të jetë i hapur dhe nuk duhet të ketë kufizime kohore”, theksoi ajo.

Të njëjtën e mbështeti edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

“Nuk duhet me pas kufizime kohore, pasi nuk është kufizuar në Bosnje, Kroaci dhe asnjë vend. Po ashtu puna e komisionit brenda është shumë katastrofale, kemi viktima që nuk janë të kënaqur me anëtarët e këtij komisioni. Unë publikisht po kërkoj që të ndryshohet ky komision pasi shumë gra kanë hezitime me u paraqitë”, tha ajo.

Krahas kësaj, Kuvendi vendosi që i njëjti projektligj të shqyrtohet me procedura të përshpejtuara, në mënyrë që të miratohet në lexim të dytë gjatë seancës së sotme.


Opozita sërish s’voton marrëveshjet ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës sërish ka dështuar t’i miratojë marrëveshjet ndërkombëtare në seancën e sotme plenare.

Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK u shprehën që nuk do të marrin pjesë në votim për asnjë marrëveshje ndërkombëtare dhe projektligj, për shkak të situatës politike në vend.

Rrjedhimisht, kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk i hodhi në votim fare marrëveshjen për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Kosovës dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin-Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, dhe për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.


Konjufca-opozitës: Mos provokoni se mazhoranca voton me shku në zgjedhje

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ironizuar me deputetët opozitarë në seancën e sotme plenare.

Pas dështimit të kalimit të një projektligji, deputetët e partive opozitarë kërkonin shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur atyre, Konjufca duke ironizuar iu është drejtuar atyre që mos ta detyrojnë ta bëjë një gjë të tillë, pasi edhe mazhoranca voton me shku në zgjedhje.

“Mos më detyroni. Kjo është arsyeja që sot jeni ardh 90 deputetë a ? Pasi me dy të tretat, mos e provokoni mazhorancën se këta votojnë me shku në zgjedhje. Nesër zgjedhjet nuk munden me ndodh ato e kanë afatin. A po ju kujtohet parvjet me një emision çka iu pata thanë”, tha ai.


Seanca e Kuvendit fillon me një minutë heshtje

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përkujtuar viktimat e Masakrës së Srebrenicës që kishte ndodhur 28 vjet më parë në Bosnje dhe Hercegovinë. Të zgjedhurit e popullit mbajtën një minutë heshtje në nderim të tyre, derisa edhe vendosën disa shamia të gjelbra mbi vendet e tyre që simbolizojnë pafajësinë e viktimave.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit nuk vjetërsohen kurrë, andaj kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar.

“Gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit janë një krim që nuk vjetërsohen kurrë. Prandaj, shpresojmë gjithmonë që edhe kriminelët të marrin dënimin e merituar një ditë”, tha ai.

Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit boshnjak, Bahrim Shababni, tha se autorët e këtij gjenocidi po i mohojnë krimet e tyre vit pas viti.

“Autorët e këtij gjenocidi të tmerrshëm në zemër të Evropës mohojnë krimet e tyre vit pas viti. Prandaj boshnjakët kudo që janë duhet të kujtojnë dhe nuk duhet të harrojnë këtë krim”, tha ai.

Derisa edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje tha se shpreson se një masakër e tillë nuk do të ndodh kurrë më.

“Në këtë shami e shihni se kemi bërë si një shenj që të përkujtojmë atë krim. Kemi ngjyrën e bardhë që paraqet pafajësinë, ndërsa e gjelbra paraqet shpresën që nuk do të ndodh kurrë më një gjë e tillë”, shtoi ajo.

Kuvendit po vazhdon punimet me pikat e tjera të rendit të ditës.


Sot mbahen dy seanca, njëra e jashtëzakonshme

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot do të vazhdojnë një seancë plenare, në të cilën do të hedhen në votim 10 projektligje, si dhe do të shqyrtohen 7 projektligje tjera, vendime dhe rekomandime. Gjithashtu, është paraparë edhe një seancë e jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës.

Sipas njoftimit, seanca do të vazhdojë me votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, votimin në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe shqyrtimin e Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në seancë do të votohet edhe për propozim rezolutën nga debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik, votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, votimin në lexim të dytë i Projektligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme, si dhe do të shqyrtohet për herë të parë projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

“Shqyrtimi i parë i Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, shqyrtimi i parë i Projektligjit për tekstet shkollore, shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë, shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”. Votimi i Projekt-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”. Votimi për emërimin e dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Ndërkohë, do të mbahet edhe një seancë e jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës është ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë në Agjencinë kosovare të Akreditimit.

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button