Kuvendi miraton Projektligjin për byronë

(Lajm i përditësuar)
Kuvendi i Kosovës me 66 vota për ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për byronë shtetërore për verifikim dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së bashku me 33 amendamente shtesë. Përveç deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, mbështetje i dhanë edhe deputetët opozitarë të LDK-së. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës paralajmëroi se të njëjtin do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, tha ky projektligj përmban gjitha shqetësimet që janë ngritur gjatë miratimit në lexim të parë.
“Në projektligj janë adresuar çështjet që disa deputetë i kanë ngritur si shqetësime në seancën e parë kur është diskutuar, pastaj edhe në momentin kur është miratuar në lexim të parë. Janë rregulluar disa nga përkufizimet si palët e treta, përkatësisht palët me interes juridik, po ashtu janë hequr nga drafti personat e ekspozuar politikisht si dhe familjarët e personave zyrtar të cilat janë përfshirë ose integruar në nocionin palët e treta. Tek mbikëqyrja e Byrosë në amendamente është paraparë një mekanizëm tërësisht i pavarur me përfaqësues të institucioneve të pavarura të kategorisë kushtetuese dhe ligjore, siç janë një gjyqtar i Gjykatës Supreme, kryesues, pastaj anëtarë: Auditori i Përgjithshëm, drejtori i Agjencisë për parandalimin e korrupsionit, një zëvendës i Avokatit të Popullit, si dhe drejtori i njësisë së inteligjencës financiare”, tha ai.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili tha se byroja le të bëhet, por jo në kurriz të politizimit.
“Pavarësisht të gjithave, këtij projektligji t’ia jep mbështetjen pas miratimit të Venecias. Pra do të votojmë për. Mbështetja me votë sidoqoftë nuk do të thotë se nuk kemi vërejtje dhe pyetje. Drafti që po e votojmë sot fatmirësisht ndryshon nga drafti kundër kushtetues që u votua në korrik të vitit 2022, por megjithatë ka paqartësi…Byroja le të bëhet, le të konfiskojë mijëra dhe miliona, pasi hajnisë asnjë qytetarë s’ia ka pasur hak dhe as sistemit të ngathtë të drejtësisë, por jo në kurriz të politizimit”, tha ajo.
Kurse, kundër u shpreh Partia Demokratike e Kosovës, përmes deputetit, Hajdar Beqa, i cili tha se i njëjti është antikushtetues.
“Partitë opozitare nuk kanë marrë pjesë në grupin punues, me arsye se konsiderojnë se kjo është në kundërshtim me Kushtetutën. Duke pretenduar të aplikohet konfiskimi përmes procedurës civile, zbatu hetim nga një agjenci jashtë sistemit të drejtësisë do të cenohet në esencë liritë dhe të drejtat e garantuar me kushtetutë”, tha ai.
Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se qëllimi i projektligjit nuk është që të goditet ndonjë zyrtarë publikë, por vetëm pasuria e pajustifikueshme e cilido zyrtari.
“Nuk është qëllimi që të goditet një zyrtar, por qëllimi është që të luftohet pasuria e pajustifikueshme e kujdo qoftë zyrtari”, tha ajo.
Kuvendi ka miratuar edhe projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
Përplasje mes Krasniqit dhe Kurtit: Shtrëngohu, mos u dridh
Kryetari i PDK-së ka reaguar pas deklaratave të Kryeiministrit Kurti në Kuvend lidhur me propozimin franko-gjerman, të pranuar në parim nga ai ditë më parë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
I pari i PDK-së tha se Kurti me fjalimin e tij që pati në Kuvend, po fshihet pas parimeve. Sipas Krasniqit, Kurti e arsyetoi “ëmbël” planin franko-gjerman.

“Me fjalimin tuaj konfirmuar qe ne stilin e juaj fshehin pas parimeve. U befasova këtu se sa embël keni fillu me arsyetu planin franko-gjerman. Fillove me i qitë mjaltë këtij ilaçi të hidhur dhe ky është transofrmim i madh. Pse nuk po e sjellë në Kuvend krejt dokumentin, qoftë me dyer të mbyllura, qoftë me të hapura. Pse po fshihesh pas opozitës, s’ka lidhje kush thërret seancë, opozita apo ti. Të ka frikësu Lajçaku apo Escobari, ata s’janë më të rëndesishëm se qytetarët e tu. Sille, mos u fsheh. S’është aq i rrezikshëm qysh po e bëni ju.”, tha Krasniqi.

Kryeministri Kurti tha se deputetët t’i thonë Escobarit ato që duan, sikur ta kishin atë përpara.
“Kur ta takoni Escobarin, thuajani përpara, mendomëni mua dhe thuajani atij se jeni për marrëveshje finale dhe njohje reciproke në qendër”, tha Kurti.
Krasniqi tutje shtoi se Kryeministri nuk ka nevojë të dridhet, e siç shtoi ai dhe PDK ia kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre edhe Escobarit e Lajçakut.
“Në Twitter bëhesh pulë e Facebook skifter, e Escobarit i kam thënë me rëndë se ty, tjetër sen me fol këtu e tjetër atje. Qëndrimin tim dhe të PDK-së e ke publik, e kam përsërit edhe javën e kaluar ne Washington. E rëndësishme është ti me u shtrëngu, e mos me ja nis mu dridh”, tha Krasniqi.

Abdixhiku kërkon seancë urgjente me dyer të mbyllura për dialogun

Kryeatari i Lidhjes Demokratike Lumir Abdixhiku ka kërkuar që urgjentisht të thirret seancë e jashtëzakonshme me dyer të mbyllura për dialogun
“Kryeministër unë nuk po të gjykoj e as nuk gjykova kornizën tuaj të dialogut, por pyeta çka nga kjo kornizë është reflektuar në marrëveshjen që ke pranuar në parim. Në bazë të përgjigjes janë dy bukur shqetesusese, e para s’e ke pranuar që nga një marreveshje fianle, te pranosh ne parim nje marrëveshje që s’është finale por është bazë. Dhe e dyta sapo pranove që po negocion për një marrëveshje që s’e ka njohjen në të. Në këtë marrëveshje nuk dhe përgjigje as per çështjen e dëmeve, e as rishikimit të marrëveshjeve paraprake. Ti nuk po tregon çfarë do të bëhet por e ke pranuar këtë dokument. Je i paqartë në rrugën që do ndjekim përpara. Si mund ta pranosh një dokument që s’është marrëveshje finale, e që se ka njohjen në të. Me që ke devijuar nga ky proces, unë pajtohem që të thërrasim urgjentisht seancë të jashtëzakonshme. Ju ftoj të mbledhim nënshkrimet sa më parë, me dyer të mbyllura siç kërkoi Kryeministri Kurti”, tha Abdixhiku sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Abdixhiku komenton planin franko-gjerman që e prezantoi Kurti
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në gusht të vitit që shkoi i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për një takim të përbashkët lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se në këtë takim përveç LDK-së ftesës i ishte përgjigjur edhe AAK-ja.Sipas Abdixhikut, pas diskutimit në fund të takimit për dialogun, Kurti ua ka dorëzuar një dokument një-faqësh. Ai ka thënë se dokumenti mbante e elemente të kornizës së marrëveshjes finale.“Kapitulli i parë parashihte njohjen reciproke me Serbinë. Kapitulli i dytë krimet e luftës të zhdukurit, në kapitullin e pestë thuhej se do të bëhej rikonsiderimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Në një takim tjetër të zhvilluar në zyrën e tij, disa muaj më vonë, kryeministri më kishte dorëzuar një dokument dy-faqësh i njohur si propozimi franko-gjerman, ai propozim nuk përmbante marrëveshjen finale dhe ishte larg dokumentit që ma kishte propozuar Kurti në takimin e parë”, ka thënë ai.

 
Kurti: Propozimi franko-gjerman është marrëveshje bazike, por jo përfundimtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se propozimi evropian, që po njihet si franko-gjerman, është një propozim, një kornizë për marrëveshje bazike, e jo përfundimtare.“Nuk është finale, është sërish një kornizë, është marrëveshje bazike, por jo përfundimtare. Kjo marrëveshje, që ka paragrafë e fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive, sërish është veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje ligjërisht obliguese, ndërkombëtarisht obliguese çfarë na duhet”, ka thënë Kurti në seancë të Kuvendit.Ai ka thënë se duhet proces i gjatë negociator për të arritur deri te një marrëveshje. Kurti ka thënë se marrëveshje finale pa njohje të ndërsjellë s’mund të ketë.

Krasniqi, Kurtit: Dialogu nuk është çështje private mes teje e Vuçiqit
Në seancën e sotme të Kuvendit,  Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në raport me dialogun nuk ka nevojë të fshihet, as të mashtrojë, as të luajë rolin e shpëtimtarit, e as të tradhtarit.
“Për PDK-në vetëm duhet të luajë rolin që i takon në mënyrë transparente. Nuk ka nevojë ta fshehësh prej Kuvendit asnjërin prej pozicioneve që mban në këtë proces. Nuk ka nevojë të na njoftojë se e ka pranuar planin franko-gjerman nga një restorant me biftek përpara. Nuk është as demokratike as fisnike që qëndrimet t’i bësh në mënyrë të fshehur e jo transparente. Dialogu nuk është çështje private mes teje dhe Vuçiqit, por janë çështje shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.
Nis seanca plenare e Kuvendit
Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, e cila në rend dite ka edhe shqyrtimin e parë të Projektligjit nr. 08/L-213 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.
Pika e rendit të ditës janë:
Rendi i ditës
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive,
4. Votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021,
5. Votimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021,
6. Votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.05/L-003 për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës,
7. Votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë,
8. Votimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021,
9. Votimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020,
10. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për Energjinë,
11. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-206 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës,
12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,
13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-175 për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar,
14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-213 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023,
15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,
16. Shqyrtimi i rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike,
17. Përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës
Kuvendi mban sot seancë plenare
Kuvendi i Kosovës sot (e enjte) do të mbajë seancë plenare.
Ajo pritet të fillojë nga ora 10:00.
Në rend të ditës janë 17 pika:
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive,
4. Votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021,
5. Votimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021,
6. Votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.05/L-003 për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës,
7. Votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë,
8. Votimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021,
9. Votimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020,
10. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për Energjinë,
11. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-206 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës,
12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,
13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-175 për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar,
14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-213 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023,
15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,
16. Shqyrtimi i rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike,
17. Përzgjedhja e një (1) anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Back to top button