Kuvendi miraton raportin vjetor të ndërmarrjes KOSTT

Me 79 vota “për”, asnjë “kundër” e asnjë abstenim është miratuar raporti vjetor i Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, për vitin 2020.
Me gjithë rekomandimin nga Komisioni për Buxhet, që ky raport të mos miratohet, deputetët e kanë vlerësuar raportin e KOSTT-it.
Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja tha se komisioni ka vlerësuar se raporti nuk i përmbush kushtet ligjore, andaj kërkoi që i njëjti të mos miratohet.
“Të mos miratohet raporti vjetor financiar i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sha.a. për vitin 2020. Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në mbledhjet që i ka shqyrtuar këto raporte vjetore financiare ka vlerësuar që raporti nuk i përmbush kushtet ligjore për raportim dhe i ka rekomanduar kuvendit që të mos miratojë këtë raport”, ka thënë Muja.
Ndërsa kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ka rekomanduar miratimin e këtij raporti.
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike e ka mbështetur dhe do ta mbështet raportin e ndërmarrjes KOSTT duke pasur parasysh edhe sfidat në të cilat sektori i energjisë po ballafaqohet dhe ndërmarrja KOSTT është ika neurologjike e tërë organizmit dhe menaxhimit të sistemit energjetik të Kosovës”, ka thënë ai.
Në emër të LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi bëri të ditur se e mbështesin këtë raport.
“U nda nga blloku me Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe u bë bllok me Shqipërinë. Kjo pa dyshim është e arritur e madhe e Kosovës pas pavarësisë së shtetit. Kjo marrëveshje bëri po ashtu të hap rrugë për tregun e përbashkët për Republikën e Shqipërisë[…]Ndoshta dikujt nuk po i pëlqen ky ri-organizim dhe këto ndryshime pozitive, por këto janë grupe të orkestruara të interesit”, theksoi ajo.
Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se raporti i KOSTT-it është ndër raportet më të mira.
“Është ndër raportet ndoshta më të mira që edhe auditori apo zyra e auditorit kombëtar e ka vlerësuar dhe më çudit fakti që nga kryetari i komisionit del rekomandimi që mos të votohet, kur KOST-i në këtë vit ka arritur sukseset më të mëdha edhe si organizatë apo ndërmarrje profitabile por edhe në pavarësimin energjetik”, ka thënë Lekaj.

Back to top button