Kuvendi miraton zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë

65 deputetë votuan pro

Lajm i përditësuar

Kuvendi i Kosovës ka miratuar vazhdimin e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike.
Pro vazhdimit të këtyre masave ishin 65 deputetë. Opozita s’ka marrë pjesë në votim.
Pas votimit të këtij vendimi, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet e kësaj seance, ku u diskutua për energjinë, për të hapur menjëherë punimet për seancën tjetër, ku do të diskutohet për caktimin e çmimit tavan për produktet esenciale.

 
LDK kundër masave emergjente: Masat nuk zgjidhin krizën energjetike
Deputetja nga LDK Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se grupi parlamentar i këtij subjekti politik është kundër zgjatjes së masave emergjente në furnizimin e energjisë elektrike.
Deputetja Bunjaku-Rexhepi ka thënë se këto masa nuk u bëjnë zgjidhje qytetarëve në këtë krizë energjetike.
“Është hera e 6 që i njëjti arsyetim po vije për vazhdimin e masave emergjente dhe këto masa absolutisht nuk po bëjnë zgjidhje për qytetarët. Çka po ndryshon situata me energji elektrike me këto masa të panevojshme emergjente, cili është plani juaj si Qeveri? Vetë keni deklaruar se do të keni një dimër me reduktime të energjisë të mëdha. A keni bërë kontratë për blerjen e rrymës sikurse vendet tjera të rajonit? Ne jemi kundër këtyre masave emergjente sepse rryma pritet të shtrenjtohet, inflacioni në rritje, paga jo, projektligji për pagat nuk erdhi dhe mbi të gjitha ju me këtë kërkesë po dëshironi me legjitimua që do të ketë rritje të energjisë elektrike dhe qytetarëve të bëjnë jetë të papërballueshme”, theksoi ajo.
Berisha-Qeverisë: Po rrëshqitni në tradhti ndaj vendit, reagojnë deputetët
Deputeti i PDK-sëm, Hisen Berisha, sot në Kuvend u shpreh se që prej marrëveshjeve bazë, Rambuje e Vjenë e gjithë atyre teknike e deri te këto tani politike, të mbështetura nga faktori ndërkombëtar e aleati kryesor ShBA, tendenca për reformatim e ka bërë atë të dyshojë se Qeveria Kurti po rrëshqet drejt diçkaje tjetër. “E ajo do të jetë tradhtia ndaj vendit tonë”, tha Berisha, derisa i reaguan deputetët.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i reagoi Berishës, të cilit i tha se s’është në temë, ndërsa Berisha tha se është në temë dhe të mos i brengos fjalori i tij.
“në këtë foltore kam dëgju fjalor edhe ma të rrezikshëm edhe ma fyes. Kom dëgju që t’i thirrni kriminelë, nese doni za, kom ma shumë se ju, njerëzit që e kanë ba Kosovën”, tha ndër të tjera Berisha, derisa prapë i reagoi Konjufca.
Ai i reagoi Qeverisë, duke u shprehur se kanë thirrur seancë për energji, sipas tij, duke fyer inteligjencën e të gjithë deputetëve, popullit të Kosovës, “dhe po doni me prezantu situatën si të qetë dhe të mirë, si kurgja s’po ndodhë dhe se do të ndodh diçka ma mirë prapë kom shpresue, por nga mram kur e kam dëgjuar edhe Kryeministrin të thotë se projekti franko-gjermon është një bazë e mirë për Kosovën. Jom i bindur se kryeministri po rrëshqet pikërisht aty ku e kom paralajmërue’.

Shala: Qeveria nuk është transparente në raport me masat emergjente
Në seancën e jashtëzakonshme për vazhdimin e masave emergjente, deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se Qeveria e Kosovës po e keqpërdor pakufi çështjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike.
Deputeti Shala theksoi sesa i përket këtyre masave të vazhdueshme nuk ka transparencë nga qeveria.
“Fatkeqësisht po keqpërdoret ky nen i këtij ligji, duke vazhduar në pakufi shpallja e masave emergjente. Gjashtë herë me radhë me shmangie procedurale, gjashtë herë asnjë raport nga ministria përkatëse. Por, ne po vazhdojmë fatkeqësisht me këtë telekomedi dhe po humbim shumë kohë. Për cdo muaj me të njëjtin raport dhe retorikë… Pse duhet gjithmonë të shpallim gjendje emergjente dhe të merremi me çështjen e peletit. Kemi mbetur te peleti, dhe s’po mund të lëvizim më. Peleti nuk i plotëson as 1-2 për qind të nevojave të konsumatorëve të vendit tonë”, tha Shala.
Rizvanolli: Kemi ulje të konsumit të energjisë për 6%

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se këtë vit ka ulje të konsumit të energjisë elektrike për 6%, krahasuar me një vit më parë.
Rizvanolli ka thënë gjatë seancës së jashtëzakonshme për shqyrtimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.03/103, datë 28.10.2022 për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë, se nëse vazhdon rënia e konsumit, kriza e energjisë do të tejkalohet më lehtë.
“Krahasuar me vitin e kaluar kemi ulje të konsumit të energjisë elektrike mbi 6% gjatë periudhës janar-shtator 2022, që është një trend pozitiv i cili nëse vazhdon do të na ndihmojë në kalimin më të lehtë të krizës energjetike”, tha ajo.
Sipas saj, aktualisht dy blloqe janë në remont dhe se situata do të vazhdojë të mbetet e ndjeshme ndaj krizës energjetike në Evropë./21Media

Back to top button