Ky është lojtari i muajit në Premier Ligë

Bomberi norvegjez, Erling Haaland u votua si lojtari më i mirë i muajit gusht në Premier Ligë.
Haaland e fiton çmimin në fjalë pas një muaji të parë historik me Manchester Cityn në kampionatin anglez.
Ylli i Cityt shënoi gola kundër West Ham Unitedit, Newcastle Unitedit, Crystal Palaces dhe Nottingham Forestit dhe dha një asistim në paraqitjen e tij kundër Bournemouthit.
Nëntë golat e tij në pesë paraqitje ishin rekordi më i mirë në histori të Premier Ligës, ku Haaland theu rekordin prej tetë golave që mbahej nga Mick Quinn dhe Sergio Aguero.
22 vjeçari po ashtu është bërë lojtari i gjashtë që shënon hat-trick në dy paraqitje radhazi në kampionatin anglez, duke shënuar nga tre gola kundër Crystal Palace dhe Nottingham Forest.
Haaland është lojtari i parë që e fiton çmimin e lojtarit më të mirë në muajin e tij të parë në këtë kampionat, që prej Bruno Fernandes, i cili e bëri këtë gjë me Manchester Unitedin në muajin shkurt të vitit 2020.
Bomberi norvegjez kryesoi listën, e cila përfshinte lojtarët si: Pascal Gross, Gabriel Jesus, Aleksandar Mitrovic, Martin Odegaard, Nick Pope, Rodrigo dhe Wilfried Zaha-n.
Haaland fitoi pasi që votat e publikut në faqen zyrtare të “EA Sports” u kombinuan me ato të panelit të ekspertëve të futbollit.

Back to top button