Labi reagon për Presidenten: Bëhet zhurmë për veshjen tuaj, thua se do të duhej të vishnit “kule e dimija”
Këngëtari i njohur, njëherësh ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri-Labi, ka shprehur keqardhje për siç thotë ai sulmet që po bëhen ndaj presidentes së vendit, Vjosa Osmanit.
Labi ka thënë se është gjendje e mjeruar në vendin tonë, kur siç thotë ai, popullata e lodhur nga gjendja ekonomike manipulohet me një shkrim që ka të bëjë me garderobën e presidentes.
“Të them të drejtën, e rëndë shumë , përshkak se roli i Presidentit i një shteti është shumë i lartë dhe duhet të ketë një respekt të veçantë, edhe nëse nuk respektohet si individ, duhet të respektohet si institucion, ndërsa këtu në mesin tonë bëhet zhurmë për veshjen tuaj, thua se do të duhej të vishnit “kule e dimija” në takime apo në shetitje me familje.! Kështu kanë dëshirë, me i pa udheheqësit tanë; Kryeministrin me opinga ,juve me kule e dimija, Kryeparlamentarin me patika të Kinës, sepse nuk janë mësuar të kenë përfaqësim të dinjitetshëm, dhe pavarësisht ngjyra e çmimeve, veshjet janë personale , e aq ma pak nuk duhet të flitet për to derisa as një cent nuk iu është prekur qytetarit nga ana juaj”, ka shkruar Labi në Facebook.
Reagimi i Labit vjen pas komenteve që u bënë lidhur me vizitën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanin, dhe bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu, në qendrën e skijimit në Brezovicë.
U komentuan se kanë veshur rroba mijëra euroshe, mirëpo presidentja në një reagim ka thënë se ka veshur pantallona të skijimit që kanë kushtuar 15 euro./21Media