Zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit, Haxhiu me porosi për prokurorët

Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, ka thënë se është e vetëdijshme që prokurorët kanë një punë të rëndë dhe sfiduese.

Ajo ka theksuar se siguria e qytetarëve varet nga puna e prokurorëve dhe viktima e krimit kërkojnë mbrojtje dhe drejtësi, andaj si ministri kanë plotësisht të drejtë t’ju kërkojnë që t’u shërbejnë ligjit dhe t’u qasen drejtësisë me përulësi.

Sipas Haxhiut, për t’u realizuar synimet dhe përgjegjësitë e prokurorëve dhe për ta fuqizuar edhe më shumë punën e tyre, duhet të rritet bashkëpunimin me njëri-tjetrin.

“Në përmbushjen e detyrave tuaja profesionale, sigurisht që ju duhet mbështetje. Unë zotohem para jush që do të jem zëri juaj që adreson secilën nevojë që keni, qoftë atë njerëzore apo profesionale. Ne e kemi obligim që të sigurohemi që ju e bëni punën tuaj pa asnjë pengesë. E kemi obligim që t’ju ofrojmë mbrojtje kur rrezikohet siguria juaj personale për shkak të kryerjes së funksioneve prokuroriale. Ju lutem që gjatë punës tuaj të keni parasysh që përveç tjerash, qytetarët duan rezultate në adresimin e veprave që e kanë lënë të pazhvilluar vendin tonë, ato të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Angazhohuni shumë që të sillni para drejtësisë ata të cilët kanë keqpërdorur detyrat zyrtare dhe që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme! Ne duhet të dëshmojmë që askush nuk është i paprekshëm dhe se të gjithë janë të barabartë para ligjit”, ka thënë Haxhiu në konferencën vjetore të prokurorëve.

Ministrja e Drejtësisë ka theksuar se para tyre është një proces goxha i rëndësishëm, ai i zgjedhjes së kryeprokurorit të ri të shtetit.

“Arsyeja pse po e përmend këtu është sepse zgjedhja e kryeprokurorit është përtej Këshillit Prokurorial sepse ka jehonë e ndikim brenda dhe jashtë vendit. Prandaj ky proces ka vëmendjen e të gjithëve, madje edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Sigurohuni që ky proces të jetë transparent, i drejtë , profesional e meritor!”, ka theksuar Haxhiu./21Media

 

Back to top button