Lajçak: Afati për marrëveshje-pranvera e hershme 2023

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i tha RTV21 se pranvera e hershme e vitit 2023 mund të jetë një afat për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se propozimi për zgjidhjen përfundimtare është propozim evropian me përfshirjen dhe mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe Francës. Lajçak tha se synimi është që normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të kryhet deri në fillim të 2024 dhe ajo që nuk bëhet deri në këtë periudhë, tha ai, mund të mos bëhet fare. Intervistën me Lajçak e zhvilloi Arbër Vllahiu.
Një periudhë intensive e bisedimeve me Prishtinën dhe Beogradin në javët e fundit. Ju jeni përballur me palët që kanë reaguar me kryeneçësi në qëndrimet e tyre rreth disa çështjeve. Çfarë niveli të vullnetit kanë treguar ato për dialog?
Të dyja palët po e përsërisin se e kuptojnë se sa i rëndësishëm është dialogu për ta dhe duan që të bëjnë përparim në normalizim të marrëdhënieve. Të dyja palët e pranojnë se gjendja aktuale po merr shumë kohë dhe energji. Por natyrisht për të qenë në mundësi që të përqendrohemi në normalizim të marrëdhënieve nuk mund të konfrontoheni me krizën në terren. Për fat të keq, çështja e targave dhe e dokumenteve na mori shumë kohë dhe energji në muajt e fundit. Në fakt, që prej muajit qershor të këtij viti ne po punonim në mënyrë konstante me afate të fundit, për të cilat kishim nevojë për të shtendosur situatën, sepse secili nga këto afate, që kishim prej 1 gushtit, 1 shtatorit, 1 nëntorit dhe pastaj më 21 dhe 23 Nëntor dhe secili prej atyre afateve nëse nuk do të shtendosej kërcënonte me pasoja serioze në terren, siç është dhuna. Prandaj jam i kënaqur që tani nuk ka një afat të fundit dhe ne mund të përqendrohemi në fotografinë e madhe të normalizimit të marrëdhënieve. Marrëveshja që ne e arritëm të mërkurën e kaluar është një konfirmim për mua se palët e kanë kuptuar seriozitetin e situatës.
Zoti Lajçak, ju është thënë se kishte kërcënime serioze të sigurisë në veri, përpara se të arrihej marrëveshja për targat?
Ju e dini se ne kemi praninë tonë atje. Kemi praninë diplomatike Misionin e EULEX-it, atje është KFOR-it që bashkëpunojnë shumë ngushtë, prandaj unë besoj se e kuptojmë shumë mirë gjendjen atje. Dhe po, kur po i afroheshim disa prej këtyre afateve të fundit në muajt e kaluar ne pamë shenja të përgatitjes për konfrontime serioze. Ne e bëmë të qartë se kjo është e papranueshme.
A mund të jetë korrekte të themi se angazhimi amerikan ishte vendimtar për të arritur një marrëveshje për targat?
Kjo nuk është e drejtë të thuhet përballë Bashkimit Evropian. Jam krenar për një bashkëpunim të shkëlqyer që kemi me SHBA-në. Sinqerisht nuk mund të jetë më mirë. Dhe them se kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë kurdo. Ne punojmë krah për krah, shumë ngushtë në baza ditore, duke e informuar njëri-tjetrin për çdo gjë duke shkëmbyer informacione dhe gjithashtu një marrëveshje e qartë se BE-ja është në udhëheqje të këtij procesi kurse Shtetet e Bashkuara po e përdorin fuqinë dhe autoritetin e tyre për të mbështetur udhëheqjen tonë. Kjo është si funksionon dhe kjo është duhet të funksionojë. Unë asnjëherë nuk do të provoja që të luaj se kjo është vetëm Bashkimi Evropian duke neglizhuar rolin e SHBA-në, por që të pohohet e kundërta nuk do të ishte ideale.
Ka pasur një presion të madh mbi Prishtinën. Ishte e nevojshme që të bëhet ky presion mbi ta?
Unë seriozisht mendoj se do të ishte shumë e papërgjegjshme nga të gjithë ne nëse do të lejonim që të shtihet mbi njerëzit ose madje edhe të vriten. Ne kemi luftë në Ukrainë dhe ne presim nga partnerët tanë në Ballkan të tregojnë se janë në anën tonë dhe se janë pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit. Askush në Evropë dhe në bashkësinë demokratike nuk do të kuptojnë dhunën për shkak të çështjes së targave. Prandaj na u desh që të punojmë shumë dhe jam i lumtur që e kemi parandaluar atë.
Mund të më thoni nëse çështja e targave është e mbyllur apo ende po zhvillohen negociata për to?
Tani për tani çështja e targave është e mbyllur. Është pajtuar, çështjen e kemi adresuar dhe e kemi zgjidhur, si pjesë e bisedave për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo nënkupton se ajo që është planifikuar në muajt e kaluar tani nuk do të vazhdojë. Por natyrisht se çështja do të adresohet së bashku me shumë çështje të tjera që do të adresohen si pjesë e diskutimeve për normalizim.
Por, çështja e targave prodhoi dorëheqjet e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës. Prishtina thotë se tani kjo është çështje ligjore. Por Serbia thotë se nuk do të ketë kthim në Institucione të Kosovës përpara se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të jetë zbatuar. Tani, do t’i bëni presion Prishtinës sërish për këtë çështje?
Kjo çështje është shumë lartë në agjendën tonë. Natyrisht. Sepse tani realiteti është se kemi një boshllëk. Kemi boshllëk kur bëhet fjalë për sigurinë në veri, kemi pothuaj 600 policë që kanë dorëzuar dorëheqjet dhe janë 50 të tjerë që kanë mbetur. Është e qartë se nuk mund të zëvendësojnë këta 600. E njëjta është edhe me drejtësinë. Njerëzit kanë nevojat e tyre, duan që të adresojnë çështjet në gjykata dhe nuk ka personel. Prandaj unë besoj se është në interes të Kosovës dhe të Serbisë që të rikthehen në gjendjen kur kishim serbë të Kosovës pjesë të institucioneve të Kosovës edhe në Polici edhe në drejtësi. Boshllëku nuk duhet të zgjasë shumë dhe na duhet ta adresojmë çështjen përpara se të bëhet vonë. Po planifikoj që të vij në rajon, në Prishtinë dhe Beograd, në ditët e ardhshme dhe kjo çështje do të jetë në agjendën time dhe unë dua të dëgjoj nga kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq se cili është plani dhe cilët janë hapat e ardhshëm. Dhe si mund ne si BE të ndihmojmë. Sepse kjo nuk është një situatë normale.
Zoti Lajçak, kryeministri Kurti ju ka fajësuar juve dhe z. Borrell se jeni të anshëm. A e humbët paanësinë tuaj gjatë gjithë këtyre ditëve?
Unë nuk e kam vërejtur se unë jam fajësuar. Kam parë se z. Kurti ka bërë disa komente për Përfaqësuesin e Lartë. Sërish, ne përfaqësojmë BE-në dhe nëse do të ishim të anshëm nuk do të mund të bënim punën tonë. Puna jonë është nën analizë ditore nga vendet anëtare. Natyrisht se na duhet një mbështetje e plotë e vendeve anëtare të cilën nuk do ta kishim sikur vendet anëtare të kishin dilema për paanësinë tonë. Çështja tjetër që dua të theksoj është se ne dëgjojmë këtu e atje kritika ndaj BE-së që vijnë nga rajoni, jo vetëm nga Kosova por edhe nga pjesë të tjera të rajonit. Mund t’ju them se…
Lajçak a ishte z. Kurti shumë kryeneç dhe pengesë për marrëveshjen deri më 23 Nëntor?
Ne kishim 8 orë të negociatave. Ne si lehtësues prezantuam dy propozime dhe unë besoj shumë të balancuara. E para ishte më gjithëpërfshirëse e dyta përqendrohej në shtendosjen e situatës. Ne përfunduam pa një marrëveshje. Z. Borrell dha vlerësimin e tij për këto 8 orë në konferencën e tij me gazetarë. Kjo është e tëra që mund të them. Jam i lumtur që kur i ftova kryenegociatorët, Bislimi dhe Petkoviq, dy ditë më vonë dhe kaluam 8 orë të tjera dhe jam i lumtur që kësaj radhe arritëm një marrëveshje dhe e shtendosëm krizën.
Çka është në radhë? Asociacioni apo marrëveshja përfundimtare, apo të dyja së bashku?
Në radhë natyrisht janë bisedimet për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne duam këtë proces dhe jemi pajtuar që keto diskutime të bazohen në dokumentin që ia kam prezantuar Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq më 9 shtator me mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës., Ky dokument ka adresuar një numër çështjesh. Natyrisht se ne kërkuam nga të dyja palët që të japin komentet e tyre të cilën edhe e bënë. Në këtë bazë ne duam të ecim përpara. Në të njëjtën kohë që është shumë e rëndësishme të theksohet ajo që është konfirmuar nga të dyja palët gjatë takimit të mërkurën e kaluar dhe është në marrëveshje, se palët e kutojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen. Kjo ka të bëjë me të dyja palët dhe gjithashtu për të gjitha marrëveshjet e kaluara.
A do të jetë Asociacioni brenda marrëveshjes përfundimtare apo do të trajtohet veçantë?
Është një përkushtim i hershëm për Kosovën, është pajtuar që në vitin 2013. Duhet të adresohet në përputhje me këtë përkushtim. Pozicioni i Serbisë tani për tani është se duhet të krijohet si një parakusht për vazhdimin e procesit. Pozicioni ynë, i BE-së, është se duhet të jetë pjesë e paketës dhe se do të ishte mirë të adresohet sa më shpejtë dhe gjithsesi se nuk mund të kushtëzohet nga asgjë tjetër sepse ky është një përkushtim tashmë ekzistues.
E përmendët që Prishtina po insiston për një asociacioni pa kompetenca ekzekutive, por Beogradi do diçka që disa e konsiderojnë si një lloj autonomie për serbët në Kosovës. A mund të pajtoni diçka që është e papajtueshme?
Po, natyrisht sepse çfarë kemi bërë deri tani ka qenë një diskutim hipotetik, një debat akademik. Ajo çfarë dua të kemi është një debat i vërtetë. Të fillojmë të diskutojmë për atë se çfarë është dhe çfarë jo. Mesazhet se nuk e duam këtë apo nuk pajtohemi me atë, nuk janë të dobishme. Ne propozojmë të fillojmë diskutimin për të definuar se çfarë është asociacioni, cilat janë kompetencat e tij. Natyrisht puna jonë është që asociacioni i ardhshëm duhet të bazohet në modelet dhe standardet ekzistuese evropiane, sepse një nga qëllimet e dialogut është që të sjellë Kosovën më afër Bashkimit Evropian. Andaj ne nuk mbështesim asnjë propozim që nuk ka të bëjë asgjë me Bashkimin Evropian. Janë shumë, janë mëse 10 modele evropiane që funksionojnë dhe i adresojnë nevojat e popullit pa pasur asnjë impakt negativ në funksionalitetin e shteteve që i prezantojnë. Të gjitha këto modele pra i kemi gati, ajo çfarë mungon është gatishmëria e palëve për të filluar diskutimin.
Lajcak, kur t’i ftoni z. Kurti dhe z.Vuciq në Bruksel, a do të diskutojnë ata çështjen e marrëveshjes finale?
Po, takimi i ardhshëm do të zhvillohet së shpejti, po e diskutojmë datën, dhe në agjendë do të jetë marrëveshja finale. Por para kësaj unë duhet të vizitoj Prishtinën dhe Beogradin dhe të diskutojë procesin dhe dokumentet e fundit me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuciq, dhe këtë po planifikoj të bëjë sa më shpejt, javën e ardhshme.
Para se të pyes për elementet e marrëveshjes finale, a mund të më tregoni, është e juaja, apo marrëveshje franko-gjermane?
Është produkt i përbashkët, është propozim evropian, me përfshirjen dhe mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe Francës. Jemi si ekip, punojmë bashkë, nuk ka konflikt mes nesh. Mund të ketë emra të ndryshëm në letër por ekipi po punon në unitetit, dhe vizita ime në Prishtinë dhe Beograd më 9 shtator i shoqëruar edhe nga zoti Jens Plettner dhe zoti Emmanuel Bonn ishte dëshmia më e mirë e këtij uniteti.
Mund të më thoni: z.Borell tha se ka marrë komentet e të dyja palëve për propozimin, a janë pajtuar të dy palët për këtë propozim dhe për çfarë janë pajtuar?
Po, ne u kemi kërkuar të dyja palëve të japin komentet e tyre, dhe të dyja palët i kanë dhënë ato. Kjo do të thotë se ka bazë për vazhdimin e procesit. Natyrisht nuk mund të zbulojë detaje të propozimit siç nuk mund të shpalos as detaje të komenteve, por mund të them vetëm se komentet kanë qenë serioze dhe kanë treguar se palët e kanë kuptuar rëndësinë e këtyre propozimeve.
Nëse flasim për palën kosovare, më lejoni t’ju pyes, mund të tregojmë disa detaje. Për shembull, Kosova dëshiron të dijë nëse do të ketë më shumë njohje në atë propozim, a do te ketë garantim të ulëses në OKB, a do të njihet Kosova nga 5 vendet mosnjohëse. Mund të kemi detaje nga këto?
Nuk mund të ndajmë detaje tani në këtë moment, sepse kjo do të ishte mënyra më e shkurtët për të shkatërruar dokumentin apo tërë procesin. Kjo nuk është mënyra se si funksionojnë negociatat ndërkombëtare. Ne po përpiqemi të jemi shumë transparent kur bëhet fjalë për vet procesin por në të njëjtën kohë të ruajmë edhe konfidencialitetin e bisedimeve. Mund vetëm t’u them se ajo çfarë është publikuar në media ka qenë e tëra gënjeshtër, nuk ka patur asnjë informacion apo dokument të vërtetë aty. Kjo është e rëndësishme dhe tjetër gjë e rëndësishme është se të dyja palët e kuptojnë rëndësinë e ruajtjes së konfidencialitetit të këtij procesi në këtë faze. Por mund të jeni të sigurt se do të pranoni detaje nga liderët tuaj kur koha të jetë e përshtatshme për këtë dhe kjo nuk do të zgjas shumë. Pra shpalosja e detajeve para takimit të liderëve nuk do të ishte shumë e përshtatshme.
A mund të thoni nëse kjo do ishte një marrëveshje e dytë pas asaj të 2013-ës për normalizim mes dy vendeve, e jo diçka si marrëveshja përfundimtare.
Kjo është diçka në të cilën nuk do të hyja, marrëveshja e parë është quajtur marrëveshje e parë, nuk e di pse, kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme apo një propozim shumë i rëndësishëm, por t’ia lëmë historisë vënien e emrit.
Lajcak, a ka një afat kohor për arritjen e marrëveshjes mes palëve, apo cili është afati i fundit për këtë?
Afatet e fundit, apo ultimatumet asnjëherë nuk funksionojnë, ose funksionojnë kundër jush, por ka diçka si një afat i butë, siç edhe e kemi njoftuar në dokumentin e adoptuar të mërkurën e kaluar, që qëllimi ynë është që t’i informojmë shtetet anëtare për rezultatet e grupit special për normalizim me Kosovën, dhe kapitulli tjetër 35, përditësim për Serbinë dhe të dy këto takime do të mbahen në pranverën e hershme të vitit të ardhshëm, pra mund ta merrni këtë si një afat kohor.
Po, sepse e di që edhe zoti Kurti ka përmendur diçka si marsin e vitit të ardhshëm, pra duket të ketë ngjashmëri sa i përket këtij afati kohor pra. Zoti, Lajcak edhe një pyetje të fundit, çfarë nëse palët nuk pajtohen, çfarë pushteti do të përdorni për t’i bindur ato që pajtohen.
Jemi këtu për të ndihmuar, për të ndërmjetësuar, ne, po flas në emër të Bashkimit Evropian por po besoj edhe në emër të SHBA-së, nuk mund që ne të duam normalizimin më shumë se Kosova dhe Serbia, pra nëse palët nuk pajtohen atëherë nuk do të ketë normalizim, dhe si rrjedhojë nuk do të ketë progres në rrugën evropiane, dhe do të vazhdoni të merreni me çështje si ajo e targave, apo të tjerë, në vend se të ecni drejt integrimit evropian, dhe nuk mendoj se kjo do të ishte një perspektivë shumë inkurajuese. Prandaj besoj se normalizimi mund të pres por nuk shoh arsye pse të pres, pra të bëjmë më të mirën për të shfrytëzuar kohën e mbetur, bëjë dhe një thirrje me këtë rast, ta shfrytëzojmë këtë moment unik dhe shumë të favorshëm, të gjithë elementët janë në dispozicion, kemi mbështetjen e plotë si të BE-së ashtu edhe të SHBA-së, kjo situatë të përfundojë para 2024-ës, pasi pastaj BE ka zgjedhjet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara poashtu, ashtu që nuk do të kenë kohë dhe mundësi për tu fokusuar në dialogun Kosovë-Serbi. Ajo çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve sidomos atyre amerikane është vështirë të parashikohet, andaj them se ajo çfarë nuk bëhet deri në fillim të 2024-tës mund të mos bëhet fare. Pra ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe gjithë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, dhe të arrijmë sa më shumë që të mundemi, për një normalizim të plotë të marrëdhënieve.
Pra, tani keni nevojë për mbështetje të plotë të SHBA-së në këtë proces?
Dhe e kemi, jemi shumë të lumtur që kemi mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të SHBA-së në këtë proces./21Media

Lajmi do të përditësohet…

Back to top button