Largimi i 8-vjeçares me autizëm nga shkolla “Elena Gjika”, reagon Nagavci

Një 8-vjeçare me autizëm është larguar nga shkolla fillore “Elena Gjika”, në komunën e Prishtinës.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Nagavci ka thënë se ka autorizuar zyrtarë nga MASHTI për të analizuar në aspektin profesional rastin, konform situatës dhe gjetjeve do të ndërmarrim të gjitha masat, ashtu që rasti në fjalë të zgjidhet bazuar në interesin me të mirë të fëmijës.
“Me shqetësim mora informatën për rastin e nxënëses 8 vjeçare, me aftësi të kufizuara , të cilës ju pamundësua vijimi i mësimit në një shkollë të Komunës së Prishtinës. Arsimi i të gjithë fëmijëve është e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi, bazuar në instrumentet ndërkombëtare. Çfarëdo veprimi i cili bie në kundërshtim me politikat tona gjithëpërfshirëse, është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Arbërie Nagavci ka thënë se MASHTI në kuadër të sigurimit të mekanizmit të mbështetjes se shkollës dhe fëmijeve me aftësi të kufizuara ka ndarë mjetet dhe buxhetin për punësimin e asistenteve, Komuna e Prishtinës e ka pasur të lejuar punësimin e 12 asistentëve dhe detyra e tyre ka qenë pikërisht mbështetja e nxënësve me aftësi të kufizuara që kanë vështirësi në adoptim dhe mësimnxënie.
“Fatkeqësisht, Komuna e Prishtinës nuk i ka punësuar këta asistentë”, ka theksuar ajo.
Nagavci ka thënë se sivjet kanë ndarë mjetet financiare për punësimin e 100 asistenteve dhe Komuna e Prishtinës është një prej komunave që ka pranuar të gjitha informatat për të shpallur konkursin për punësimin e 15 asistentëve, këtë vit.
Ministrja e Arsimit i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës dhe komunave tjera të cilave u kemi alokuar mjetet, që të shpallin konkurset dhe të punësojnë asistentet, të cilët duhet t’i angazhojnë në shkolla, për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje.
“Arsimi i çdo fëmije është e drejtë e garantuar dhe realizimi i kësaj të drejte është obligim i të gjithë akterëve dhe shoqërisë sepse vetem duke kontribuar dhe kryer punën secili nivel, ne do të arrijmë të përmbushim ketë mision. Si ministri nuk do të ndalemi në punën tonë për ofrimin e mundësive për të gjithë”, ka shkruar ajo.
Drejtori i shkollës “Elena Gjika”, Betim Sylejmani, për portalin rtv21.tv ka thënë sot se shkolla “Elena Gjika” nuk ia ka ndërprerë askujt shkollimin, mirëpo siç ka njoftuar Sylejmani pas vlerësimit të nxënëses nga ekipa komunale, sipas ligjeve në fuqi, nxënësja është referuar të ndjekë mësimet në Qendrën Burimore “Përparimi”./21Media

Back to top button