Largimi i kryetarëve në veri, Von Cramon mirëpret caktimin e datës së votimit
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon ka mirëpritur sot vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) që të votohet pro apo kundër largimit të katër kryetarëve të komunave në veri.
KQZ sot votoi rekomandimin që më 21 prill të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës.
Ky rekomandim erdhi nga Sekretariati i KQZ-së, pasi verifikoi nënshkrimet e dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.
“Unë e mirëpres vendimin e KQZ-së për caktimin e votimit për largimin e kryetarëve të komunave, gjë që do t’i hapë rrugën depërshkallëzimit të mëtejshëm. Të gjithë pjesëmarrësit në proces duhet të kenë trajtim të barabartë dhe të respektojnë procedurat demokratike për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme në veri”, ka shkruar Von Cramon në rrjetin social X.
Ndryshe, KQZ njoftoi sot se në komunën e Leposaviqit peticionin për nisjen e procedurave për largimin e kryetarit të komunës e kanë nënshkruar 3.030 persona. Prej tyre, 2.905 është verifikuar se u përkasin banorëve të kësaj komune me të drejtë. Me këtë shifër është plotësuar kërkesa prej 20 për qind, pasi kërkohej që të mblidheshin nënshkrimet e së paku 2.689 personave.
Në Zubin Potok, nga 1.576 nënshkrime, 1.380 janë vërtetuar se u përkasin qytetarëve me të drejtë vote. Nga numri i përgjithshëm i votuesve, që peticioni të konsiderohej i vlefshëm në këtë komunë kërkoheshin që të mblidheshin së paku 1.347 nënshkrime.
Sa i përket peticionit në Zveçan, ai, sipas KQZ-së, u nënshkrua nga 1.834 persona dhe nga ky numër 1.380 u vërtetuan se u përkisnin qytetarëve që kanë të drejtë vote në Zveçan. Që peticioni të kalonte, në këtë komunë kërkohej të mblidheshin së paku 1.347.
Ndërkaq, në Mitrovicë të Veriut u mblodhën 4.148 nënshkrime prej të cilave 3.653 u përkisnin banorëve me të drejtë vote. Në këtë komunë kërkoheshin së paku 3.640 nënshkrime në mënyrë që peticioni të konsiderohej i vlefshëm.