Latifi e çon në Prokurori inspektorin që urdhëroi shkarkimin e drejtorit në kohë fushate
Kërkesa për shkarkimin e drejtorit të Arsimit në Komunën e Rahovecit shkaktoi debat ditëve të fundit, ndërsa kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi ka thënë se ka kërkuar zyrtarisht nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë që të fillojë hetimet për inspektorin Gjergj Gojani që urdhëroi shkarkimin e drejtorit në kohë fushate.
Latifi, përmes telefonit ka dhënë versionin e tij për KP lidhur me akuzat e inspektorit të Arsimit, Gjergj Gojani, i cili e ka akuzuar sot kryetarin Latifi se e ka kërcënuar.
Latifi ka deklaruar që akuzat e inspektorit janë të pavërteta dhe se nuk ka pasur ndonjë komunikim me të në ditët e fundit.
“Unë nuk kam biseduar me të as sot, as dje, as pardje. Në një komunikim të mëhershëm thjesht e kam informuar se vendimi i tij është i paligjshëm, unë nuk do ta zbatoj si të tillë dhe se për këtë do ta njoftojë prokurorinë”, ka thënë Latifi.
“Pikërisht për këtë, unë e kam njoftuar kryeprokurorin ku kam kërkuar fillimin e hetimeve për këtë çështje, ndërsa dje edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Arsimit në kuadër të Ministrisë së Arsimit përmes një ankese, lidhur me këtë rast. Si duket kjo i ka penguar inspektorit Gojani dhe ai po shpif ndaj meje. Tanimë rastin e kanë në dorë organet kompetente dhe pres që të merren me këtë vendim të jashtëligjshëm që duket se është bërë për të më dëmtuar mua në kohë fushate”, ka potencuar Latifi.
Kërkesa për shkarkimin e Avni Morinës ishte kërkuar pasi dyshohej se kishte bërë shkelje të detyrës zyrtare, sipas vendimit të mëposhtëm.




