​Latifi: Rahoveci, i harruar nga Qeveria e Kosovës

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka kritikuar Qeverinë Kurti pasi që në buxhetin e miratuar sot për vitin 2023 nuk janë përfshirë edhe kërkesat e komunës që ai drejton.
Në një postim në Facebook, Latifi ka shkruar se edhe pas shumë përpjekjesh dhe debatesh rreth investimeve në infrastrukturën e sportit në komunën e Rahovecit, rezultati është dëshpërues.
“Në buxhetin e miratuar në Kuvendin e Kosovës për 2023, të propozuar nga Qeveria e Kosovës, kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të komunës së Rahovecit janë injoruar. As edhe një projekt infrastrukturor nuk është përfshirë në këtë buxhet. Debati më intensiv është zhvilluar rreth stadiumit të ri, duke marrë parasysh faktin se tashmë në vendin e stadiumit aktual do të ndërtohet sheshi i qytetit”, ka thënë ai.
Latifi ka thënë se në këto rrethana, ku ekzekutivi i Komunës së Rahovecit është vënë me shpatulla pas murit, çdo debat pa përmbajtje dhe që nuk rezulton me investime konkrete, do të jetë i kotë dhe shterp.
“Gjithsesi, asnjëherë nuk do të injorojmë kërkesat për vazhdimin e takimeve e bisedave me autoritetet vendimmarrëse, në këtë rast me MKRS-në, gjithnjë në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit. Bazuar në faktin se ky projekt është i një rëndësie jetike për sportin dhe sportistët tanë, mbetemi të përkushtuar për gjetjen e burimeve për përfundimin me sukses të infrastrukturës së nevojshme për futbollin e Rahovecit”, ka thënë Latifi.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për buxhetin për vitin 2023. Pro buxhetit për vitin 2023 votuan 65 deputetë të mazhorancës, ndërsa deputetët opozitarë u përmbajtën nga votimi./21Media

Back to top button