Laurent Marmullaku i bashkohet Kosovës

Laurent Marmullaku është një tjetër futbollist i talentuar që ka pranuar të luajë për Kosovën.
Sulmuesi 17-vjeçar aktualisht është pjesë e skuadrës së të rinjve të Wolfsburgut, derisa ka vendosur që tash e tutje ta përfaqësojë Kosovën në ekipet zinxhirë, njoftoi Federata e Futbollit e Kosovës.
Sipas tyre, Marmullaku aktualisht do të jetë i grumbulluar me Kombëtaren U19, që drejtohet nga Ramiz Krasniqi, por në bazë të cilësive që ka llogaritet si një lojtar me të ardhme të ndritur për ekipin kombëtar.
“Ardhja e tij në radhët e Dardanëve ka ndodhur pas bisedimeve që ka pasur përfaqësuesi i FFK-së në Gjermani, Fekmi Kongjeli, me lojtarin dhe me përfaqësuesit e tij”, thuhet në njoftim.
Gjatë ditës së sotme mirëseardhje në radhët e Dardanëve i ka uruar edhe presidenti Agim Ademi, i cili e ka pritur Marmullakun në zyrën e tij dhe ia ka dhuruar fanellën dardane.
Ai e ka përgëzuar për vendimin e marrë që ta përfaqësojë vendin e origjinës, derisa i ka uruar fat dhe suksese në karrierën e mëtutjeshme. Ndërkaq, vetë futbollisti e ka falënderuar kreun e FFK-së./21Media

Back to top button