LDK dhe PDK bëhen bashkë për të qeverisur Istogun
Lidhja Demokratike e Kosovës në Istog sot ka arritur marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës për të qeverisur në komunën e Istogut. Lajmin e ka bërë të ditur sonte kryetari i Istogut, Ilir Ferati, i cili ka informuar se marrëveshja është nënshkruar mbi parimet e qeverisjes së mirë, transparente e të ndershme.
Sipas Feratit, marrëveshja parasheh që PDK dega në Istog të udhëheqë me: nënkryetarin e komunës, Drejtorinë e Bujqësisë, Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Drejtorinë e Administratës.
“Jemi dakorduar poashtu që bartësit e funksioneve komunale do t’i nënshtrohen mekanizmit të matjes së përformancës në periudha një (1) vjeçare.”, ka shkruar Ferati në Facebook.
Ai ka shtuar se emërimi dhe prezantimi i të gjithë ekipit qeverisës do të bëhet gjatë ditëve në vijim.
Kujtojmë që, Ilir Ferati ka marrë 56.20% të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve, ndërkaq kundërkandidati Bekë Berisha ka marrë 43.80% të votave./21Media