LDK dhe VV: Mazhoranca e papërgjegjshme, bojkoti seancën

Sipas Konjufcës, mungesa e pozitës po tregon që pushteti e ka marrë drejtimin që zëri i opozitës mos të dëgjohet

Me kërkesë të partive opozitare, LDK dhe Vetëvendosje sot për në orën 10:00 ishte thirrur seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, gjatë të cilës pritej të shqyrtohet një dokument për marrëveshje gjithëpërfshirëse në dialogun Kosovë-Serbi. Mirëpo seanca ende nuk ka filluar punimet për shkak të mungesës së deputetëve të koalicionit qeveritar.

Lidhur me këtë çështje LDK e VV  kanë mbajtur një konferencë për media në të cilën kanë adresuar kritika për mazhorancën.

Shefi i GP të LDK-së Avdullah Hoti këtë e quajti papërgjegjësi të madhe. Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca tha se ky bojkot shpërfaq strategjinë e kësaj mazhorance.

“Kemi kërku të shqyrtohet ky dokumenti 30 faqe për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Për ne ka qenë jetike sepse kjo marrëveshje përmban shumë defekte, kemi dashtë përball kryeministrit dhe ministrave të hapin këtë çështje. Po qe s’di sa herë mazhoranca po e aplikon strategjinë e bojkotit. Sot ata e treguan fytyrën e vërtetë, opozita erdhi më sallë 1 orë e gjysmë pritëm, pushteti nuk ishte, është papërgjegjësi. Kjo po tregon që pushteti e ka marrë drejtimin që të shkelin opozitën në këtë mënyrë, që zëri i opozitës mos të dëgjohet”, tha Konjufca.

Kujtojmë se në seancën e thirrur të pranishëm ishin vetëm deputetët e LDK-së, VV-së dhe PSD-së.

Seanca ka këtë pike të rendit të ditës: 1. Diskutim mbi dokumentin e përgatitur nga Qeveria e Kosovës, si “Draft marrëveshja gjithëperfshirëse midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”. Pas mbledhjes se kryesisë, të hënën kur edhe u morë vendimi për seancë të jashtëzakonshme, VV bëri të ditur qëndrimin, duke e kundërshtuar këtë dokument.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 18 dhjetor kishte bërë shqyrtimin e Draft-Marrëveshjes gjithpërfshirëse dhe obligative-ligjore në mes të republikës së Kosovës dhe Serbisë. / 21Media 

Back to top button