Si mund të mos ulemi me kundërshtarët tanë politikë, e duam të diskutojmë me Serbinë?

Kërkoi nga VV dhe LDK t’i bashkohen diskutimeve

Pas përfundimit të takimit të thirrur nga Kadri Veseli, në konferencë për media Shpend Ahmeti duke iu referuar kundërshtimeve që ka pasur kur është votuar presidenti, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe deklaratës që tha para disa muajsh në një konferencë për media, se nëse vjen mundësia do ta rrëzonin kryeministrin Haradinaj, ai tha se e mira e kësaj është që janë kundërshtarë politikë.

Megjithatë, edhe përkundër kundërshtimeve politike, Ahmeti tha se duhet të ketë unitet sepse është interes i shtetit.

“Kjo është interes i shtetit, dhe interes i shtetit nëse na po dojmë me shku me u ul me Serbinë, e mos me mujt me u ul me kundërshtarët tonë politikë brenda Kosovës, atëherë unë nuk e di pse shkojmë me fol me Serbinë. Pra, duhet me pas një zo të përbashkët, kjo është ideja”, tha Ahmeti dhe shtoi se me 8 janar është takimi i parë i delegacionit shtetëror në Bruksel, ku do të diskutohet mbi ecurinë e dialogut.

Ahmeti kërkoi nga VV dhe me LDK-ja të ulen dhe të diskutojnë dhe sipas tij është e pakuptueshme se edhe pse pas seancës për rezolutën, opozita nuk kanë qenë të pranishëm dhe tash po kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për të njejtën gjë.

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator shtoi se e vetmja kërkesë e tij është që të flasin njëzëri, dhe tha se do të ketë transparencë të plotë dhe qytetarët t’i informojnë në kohë./21Media

Back to top button