LDK i reagon PZAP-së për anulimin e votave me postë për kryetar të Dragashit
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar votat me postë në garën e balotazhit për kryetar të Komunës së Dragashit.
Në lidhje me këtë një reagim ka ardhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku ka thënë se PZAP ka marrë vendim skandaloz e të paprecedentë në sistemin zgjedhor të Kosovës si dhe po tenton të ndryshoj vullnetin qytetar.
Ndërkaq, PZAP ka aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, dhe ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.
PZAP-i ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që fletëvotimet e anuluara të mos i përfshijë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, të mbajtura më 14 nëntor.
Kjo erdhi pasi kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani më 17 nëntor bëri ankesë në PZAP pasi pretendonte se në raundin e dytë të zgjedhjeve ka pasur manipulime të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve./21Media