Kaloni te përmbajtja kryesore

LDK-ja i drejtohet Kushtetueses për zhvillimin e seancave pas aktgjykimit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me zhvillimet në tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive e të Kuvendit, të mbajtura pas aktgjykimit për bllokadën në Kuvend.

Shkëmb Manaj që ka dorëzuar lëndën bashkë me dy deputetët e tjerë, Hykmete Bajramin e Armend Zemajn, ka thënë se rregullorja e punës së Kuvendit e përcakton qartë se si bëhet rendi i ditës dhe s’mund të ndryshohet gjatë vazhdimit të seancave konstituive.

Ai ka thënë para mediave se vazhdimi i seancave konstituive nga kryesuesi i Kuvendit është duke u bërë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës

“Në vlerësimin tonë vazhdimi i seancave konstituive nga kryesuesi i seancës është duke u bërë në kundërshtim  të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me konstatimet e nxjerra në aktgjykimin e Gjykatës Kushtuese të Republikës së Kosovës, prandaj në sot ju kemi adresuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që të shqarohen të gjitha normat kushtetuese”, ka thënë Manaj.

Ai ka treguar se s’kanë bërë kërkesë për masë të përkohshme duke shtuar se presin që lënda të trajtohet shumë shpejt.

Manaj ka thënë se Kushtetuesja duhet që të përcaktojë se është shkelur Kushtetuta dhe që të urdhërojë kryesuesin të procedojë me rendin e ditës.

“Tashmë Kushtetuesja e ka më të lehtë. Gjykata Kushtetuese duhet me dispozitiv të përcaktojë që është shkelur Kushtetuta nga kryesuesi i seancës edhe pas nxjerrjes së aktgjykimit dhe një pikë që kemi kërkuar që ta urdhërojë në pajtim me dispozitat e Kushtetutës dhe rendin e ditës e përcaktuar më 15 prill 2025”, ka thënë Manaj.

Gjykatës Kushtetuese të enjten i është drejtuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Kryetari i saj, Memli Krasniqi, para dërgimit të lëndës në Kushtetuese, ka thënë se pret që ajo të trajtohet me urgjencë.

Sipas Krasniqit, vazhdimet e seancës pas aktgjykimit të Kushtetueses javën e kaluar, janë shkelje e qëllimshme e me vetëdije e kryesuesit Avni Dehari dhe partisë prej nga vjen ai. /21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button