Lëshonin teste të falsifikuara, arrestohen 3 persona
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se lëshonin teste COVID të falsifikuara sipas dëshirës së klientëve dhe pa prezencën e personave që ju duhej vërtetimi.
“Hetuesit policor kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Gjakovë kanë ndërmarr një sërë veprimesh të nevojshme hetimore-operative dhe në koordinim me Prokurorin kompetent kanë zbatuar Urdhrin e pranuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, duke aplikuar masat e veçanta të hetimit dhe përmes tyre kanë siguruar prova të mjaftueshme ku vërtetohet dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari me iniciale (A.Sh.) ka kryer veprën penale ,,Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ,,Falsifikim i dokumenteve” ndërsa të dyshuarit me iniciale (N.Sh.) dhe (S.P.) kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”. Sot me datë 24.11.2021 me urdhër të gjykatës kompetente në Gjakovë në bashkëpunim me Inspektorët Shëndetësor nga Ministria e Shëndetësisë është realizuar një kontroll në Laboratorin në fjalë me pronar të dyshuarin me iniciale (A.Sh.)”, thuhet në njoftim.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari (A.Sh) është ndaluar për 48 orë, ndërsa për të dyshuarit (N.Sh) dhe (S.P) janë liruar në procedurë të rregullt./21Media