Levits: Letonia promovon interesat e shtetit tuaj në Bashkimin Evropian

Kryeministri, Albin Kurti ka pritur në takim presidentin e Letonisë, Egils Levits, me të cilin kanë diskutuar marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme.

Kurti e ka falënderuar presidentin Levits për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Letonia dhe përkrahjen për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Ai tha se si rezultat i bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve është edhe marrëveshja e nënshkruar së fundmi nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, për trajnime dhe operacione të përbashkëta të Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë letoneze.

Teksa e njoftoi për stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik në vitin e parë të qeverisjes, Kurti ka theksuar disa nga indikatorët ekonomikë: rritjen ekonomike për 10.53%, rritjen e eksporteve për mbi 83% krahasuar me vitin 2020, rritjen e investimeve të huaja direkte prej 22 % dhe rritjen e investimeve kapitale mbi 10%.

Presidenti i Letonisë e falënderoi kryeministrin Kurti për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet miqësore. E përgëzoi për progresin e shënuar ekonomik dhe tha që ky duhet të jetë fokusi i rëndësishëm i Kosovës.

”Letonia e konsideron pavarësinë e Kosovës si të pakthyeshme dhe promovon interesat e shtetit tuaj në Bashkimin Evropian”, ka thënë presidenti Levits.

Ai ofroi mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO. 

Po ashtu, theksoi vazhdimin e mbështetjes për trajnime e studime të zyrtarëve shtetërorë të Kosovës në fushën juridike në Riga Law School. Ndërkohë që bëri të ditur financimin e kurseve të studimit dhe trajnimit në Letoni për dy oficerë të lartë të FSK-së.

Në takim u bisedua edhe për situatën e sigurisë në Evropë dhe në rajon, pas invazionit dhe agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë.

Që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, kryeministri Kurti tha se është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO./21Media

Back to top button