Lia e majmunëve, në Evropë, ShBA, Kanada dhe Australi

Rastet e lisë së majmunëve po hetohen në disa vende evropiane, si dhe në SHBA, Kanada dhe Australi, sipas autoriteteve shëndetësore dhe raporteve të mediave lokale.
Rastet e reja u raportuan në Belgjikë, Francë, Australi dhe Gjermani.
Kjo pason infeksionet e konfirmuara në Itali, Suedi, Spanjë, Portugali, SHBA, Kanada dhe MB – ku u raportua rasti i parë evropian.
Lija e majmunëve është më e zakonshme në pjesët e largëta të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore. Rastet e sëmundjes jashtë rajonit shpesh lidhen me udhëtimin në zonë.
Lija e majmunëve është një infeksion i rrallë viral, i cili zakonisht është i butë dhe nga i cili shumica e njerëzve shërohen brenda disa javësh, sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar.
Virusi nuk përhapet lehtë mes njerëzve dhe rreziku për publikun e gjerë thuhet se është shumë i ulët, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv
Rasti i parë i sëmundjes në Mbretërinë e Bashkuar u raportua më 7 maj. Pacienti kohët e fundit kishte udhëtuar në Nigeri, ku besohet se ishte infektuar me virusin përpara se të udhëtonte në Angli, tha Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar.
Tani ka 20 raste të konfirmuara në Mbretërinë e Bashkuar, tha të premten Sekretari i Shëndetësisë Sajid Javid.
Nuk ka një vaksinë specifike për linë e majmunit, por një vaksinë kundër lisë ofron 85% mbrojtje pasi të dy viruset janë mjaft të ngjashëm.
Autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar thanë se kishin blerë stoqe të vaksinës dhe filluan t’ua ofronin atë atyre me “nivele më të larta të ekspozimit” ndaj lisë së majmunëve.
Sipas gazetës spanjolle El País, autoritetet shëndetësore spanjolle raportohet se kanë blerë gjithashtu mijëra vaksina kundër lisë.
Rasti i parë në Australi u zbulua në një burrë që u sëmur pasi udhëtoi për në MB, tha Departamenti i Shëndetësisë.
Në Amerikën e Veriut, autoritetet shëndetësore në shtetin amerikan të Massachusetts konfirmuan se një burrë u infektuar pasi kohët e fundit kishte udhëtuar në Kanada. Ai ishte në “gjendje të mirë” dhe “nuk paraqet rrezik për publikun”, thanë zyrtarët./21Media

Back to top button