Liberalizimi i vizave në agjendë të KE-së më 13 tetor
Njohësit e procesit optimist që brenda tre muajsh do të hiqen vizat për Kosovën
Bashkimi Evropian pritet që të nisë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, pas më shumë se gjashtë vjet që kur për herë të parë Komisioni Evropian hapi rrugën në këtë proces. Në Kosovë, ndërkaq, vendimi i Presidencës Çeke për nisjen e procesit të liberalizimit është cilësuar si hap i rëndësishëm që do t’iu mundësojë qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm qysh në fillim të vitit 2023.
Tre muaj pas marrjes së presidencës se BE-së nga Çekia, çështja e liberalizimit të vizave si duket do të jetë në tavolinën e grupit punues të Këshillit Evropian.
Liberalizimi i vizave pritet të jetë në rend dite të këtij këshilli më 13 tetor derisa presidenca e Çekisë tashmë iu ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare të arrijnë një konsensus të brendshëm për ta mbështetur heqjen e vizave për Kosovën.
Autoritetet në Prishtinë thonë se kanë përmbushur kriteret prej shumë vjetësh dhe se çështja mbetet në duart e BE-së..
Politologu, Dorajet Imeri, vlerëson se gjasat që më 13 tetor të nis procesi i heqjes së vizave për Kosovën janë të mëdha, pasi që sipas tij Gjermania dhe Franca do t’i shtyjen vendet tjera që ta mbështesin liberalizmin e vizave për Kosovën.
Në shoqërinë civile, shprehën optimistë që më 13 tetor do të ketë një vendim për liberalizimin e vizave i cili do pasohet tutje me procedura teknike.
Në Grupin për Studime Juridike dhe politike vlerësojnë se tani është një momentum i duhur për liberalizimin e vizave për Kosovën teksa tregojnë procedurat deri në heqjen e vizave.
Megjithatë procesi i heqjes së vizave për qytetarët e vendit është më i gjatë se sa mendohet. Por bashkëbiseduesit Imeri e Fetahu, shprehën optimist që në fillim të vitit 2023 qytetarët e Kosovës do mund të lëvizin pa viza, teksa theksojnë se largimi tyre nga Kosova pas heqjes së vizave do të jetë i shtuar.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që janë jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane. Në vitin 2012 Komisioni Evropian ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën ndërsa në korrik të vitit 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Mbështetje liberalizimit të vizave i ka dhënë në vazhdimësi edhe Parlamenti Evropian./21Media