Liderët aziatikë të shqetësuar nga tensionet

Phenianit i bëhet thirrje te heqë dorë nga sulmet

Krerët e Azisë Juglindore sot shprehen shqetësimin me tensionet në gadishullin korean, ndërsa i bënë thirrje Phenianit të heqë dorë nga akte që kërcënojnë paqen në rajon.

Provat bërthamore të Koresë së Veriut dhe mosmarrëveshjet territoriale në Detin e Kinës Jugore ishin në qendër të diskutimeve të udhëheqësve të 10 vendeve anëtare të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), që morën pjesë në një samit të përvitshëm në kryeqytetin e Filipineve, Manila.

Presidenti filipinas, Rodrigo Duterte, i cili drejtoi samitin njëditor, deklaroi se liderët e rajonit ishin thellësisht të shqetësuar lidhur me mundësinë e shpërthimit të një konflikti të armatosur në Gadishullin Korean, duke u shprehur se “rajoni do provonte vuajtje të paimagjinueshme”.

“ASEAN duhet të qëndrojë e fortë dhe e bashkuar në thirrjen drejtuar Koresë së Veriut për t’u dhënë fund të gjitha akteve provokuese dhe të rikthehet në rrugën e dialogut”, deklaroi kryeministri i Singaporit, Lee Hsien Loong.

Disa orë para hapjes së samitit, Korea e Veriut tentoi të lëshonte një raketë balistike nga një zonë në veri të Phenianin, por që shpërtheu në ajër pak çaste pas lëshimit.

Duterte u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendet e tjera të përfshira në tensione të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo hap që mund të shkaktojë një katastrofë.

Back to top button