Zaev: Sulmi ishte tentativë për vrasje

Gruevski tha se sikur të dëshironin ta vrisnin do të nxirrnin pistoleta

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev i cili mori lëndime gjatë incidentit të së enjtes kur disa protestues të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” hyrën në hapësirat e Kuvendit, në emisionin e mbrëmshëm Top Tema tha se ka pasur tentativë për vrasje me paramendim të kreut të shumicës së re parlamentare.

“Unë jam i sigurt se ata kishin për qëllim vrasjen time dhe të të tjerëve. Për këtë fare nuk kam dilemë. Personi zyrtar, polici Ace, e nxori distinktivin dhe u tha “ju lutem tërhiquni, ndryshe do të gjuaj”. Dy herë gjuajti në ajër. Besoj se kjo pati ndikim psikologjik që ata të tërhiqen nga qëllimi i vrasjes. Më thanë: E shihni Zijadin Selën? Është i therur. Radhën e ke ti!”, u shpreh Zoran Zaev.

Në pyetjen pse policia nuk veproi si duhet për t’i parandaluar sulmet, ish kryeministri Nikolla Gruevski, duke u thirrur në deklaratën e Çavkovit, u shpreh se një intervenim më i fortë nga ana e policëve do të mund të shkaktonte viktima në njerëz.

“Nëse dikush do të dëshironte që ta vriste, këtë do ta kishte bërë. Do të nxirrnin pistoletë dhe do ta vrisnin. Marrëdhënia e policisë ndaj protestuesve të paguar vitin e kaluar ishte profesionale. A nuk vepruan me profesionalizëm edhe atëherë kur më 5 maj protestohej para qeverisë dhe kur u lënduan 40 policë?!”, u shpreh Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO-DPMNE.

Për akuzat e Çavkovit se pas skenarit të Kuvendit qëndron LSDM-ja, Zaev tha se Çavkov me orë të tëra ka qenë i pakapshëm për ministrin e brendshëm Agim Nuhiun. Nga kjo parti sot deklaruan se vetë fakti se i vetmi që ka mundur ta kontaktojë Çavkovin ka qenë Gruevski, në momentet kur askush në vend nuk ka mundur ta kontaktojë, flet për atë se pas incidentit në Kuvend qëndron pikërisht vetë Gruevski.

Back to top button