Liderët evropianë dënojnë sulmet me raketa në Zaporizhzhia

Udhëheqësit evropianë kanë dënuar sulmet me raketa ruse mbi ndërtesat e banimit që kanë lënë dhjetëra civilë të vdekur dhe të plagosur në qytetin juglindor të Ukrainës, Zaporizhzhia, gjatë javës së kaluar.
Zyrtarët ukrainas raportuan më shumë viktima herët të hënën pasi një sulm me raketa ruse shkatërroi një bllok apartamentesh, transmeton rtv21.tv.
Diplomati i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se BE dënon sulmet e pamëshirshme të Rusisë kundër civilëve në të gjithë Ukrainën, me dhjetëra viktima çdo javë. “Të gjithë ata që janë përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi”.
Komisioneri Evropian për Reagimin ndaj Krizave, Janez Lenarciç reagoi gjithashtu ndaj sulmeve, duke thënë: “Civilët dhe infrastruktura civile nuk duhet të jenë objektivi. Kurrë. Askund”.
Ministria e Punëve të Jashtme të Lituanisë i quajti sulmet në Zaporizhzhia një “shpërthim të ri të së keqes ruse – një sulm i tmerrshëm brenda natës nga Rusia ndaj civilëve në Zaporizhzhia”.
“Ndërsa Rusia vazhdon terrorin e saj, ne duhet të vazhdojmë t’i ofrojmë mbështetje Ukrainës që të jetë në gjendje të mbrohet. Rusia duhet ta ndalojë këtë luftë!” shtoi ministria.
Sulmet janë dënuar edhe nga ministritë e jashtme të Belgjikës, Rumanisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut./21Media

Back to top button