Liderët institucionalë dhe partiakë urojnë besimtarët për festën e Fitër Bajramit

Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca, kryeministri, Albin Kurti dhe liderët e partive politike kanë uruar qytetarët sot me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke uruar shëndet, mirësi e begati në familjet e tyre.

Presidentja Vjosa Osmani sot ishte në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për vizitë ku uroi festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë, teksa uroi që besimtarëve t’i është pranuar agjërimi.

“Është nder i veçantë që nga Bashkësia Islame t’i urojmë të gjithë qytetarët me fat Bajramin me shpresën që lutjet e tyre gjatë muajit të shenjtë të janë pranuar dhe me urimin nga thellësia e zemrës për shëndet begati për secilën familje në secilën shtëpi”, tha Osmani.

Osmani uron Bajramin: Le të shërbejë kjo ditë si një rikujtim se durimi

Ajo tutje tha se shpreson që fryma e solidaritetit të vazhdojë gjatë tërë vitit.

“Shpresoj që kjo festë por edhe i gjithë muaji i shenjtë i Ramazanit të jenë inspirim për secilin qytetarë që kjo frymë e solidaritetit të vazhdojë gjatë tërë vitit”, tha presidentja Osmani.

Osmani në BIK: Fitër Bajrami të jetë inspirim për solidaritet e bashkëpunim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar të gjithë qytetarët dhe besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.

Në urimin e tij, Konjufca tha se mësimet e sakrificës gjatë muajit të Ramazanit kulmojnë në këtë ditë festive dhe pasqyrojnë një periudhë suksesi në përballimin e sfidave.

Në zemrat e secilit frymoftë sot e gjithmonë mirësia, dashuria e gëzimi, që ndriçojnë jo vetëm jetët personale, por edhe të atyre që kemi pranë dhe atyre me të cilët ndajmë fatin dhe të ardhmen tonë të përbashkët”, ka shkruar ai.

Konjufca tutje shtoi se mësimet e Ramazanit, që përfunduan me sukses, forcojnë shpirtin dhe virtytet, dhe janë një hap përpara në përmirësimin e solidaritetit dhe kujdesit për ata që kanë nevojë më shumë.

Kryeministri Albin Kurti i cili ka qenë për vizitë në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për të uruar festën e Fitër Bajramit, sot u prit nga myftiu Naim Tërnava, me çrast tha para mediave ka uruar festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës e vlerëson lartë rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame në të gjitha etapat deri në pavarësinë e shtetit tonë

“Urime dhe gëzuar Bajrami, për hajër Bajrami të gjithëve, Zoti kabull agjëruesve, dhe një mirënjohje për aspektin social të Bashkësisë Islame të Kosovës që ndihmoi të varfëritë ata që e kanë gjendjen e vështirë në mënyra të ndryshme, kësisoj dëshmon mëshirën, solidaritetin dhe dëshirën për begati për të gjithë pa dallim”, ka thënë Kurti.

“Në këtë pranverë përkujtojmë edhe 37 dëshmorët e UÇK-së që vijnë nga radhët e imamëve dhe hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Kurti uron Fitër Bajramin: Ju përcjelltë shëndeti e mirësia

Kurti uron Fitër Bajramin: Ju përcjelltë shëndeti e mirësia


​Haradinaj: Fitër Bajrami është festë që na bashkon

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar gjithë popullin e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit.

Ai të dielën pas takimit me myftiun e Kosovës, Naim Tërnava ka thënë se Bajrami është festë që i bashkon të gjithë, duke uruar gjithashtu që populli i Kosovës t’i kalojë me shumë gëzime jo vetëm festat por edhe jetën në përgjithësi.

“Bajrami është festë që na bashkon, festë e harmonisë me shpresën që me gëzim t’i kalojmë jo vetëm festat por edhe jetën në përgjithësi në Kosovë. Jeta jonë dhe festat tona kanë kuptim kur kemi njerëz të vyeshëm e atdhetarë, kur sa më shumë prej nesh jemi të vyeshëm dhe atdhetarë”, ka thënë ndër të tjerash Haradinaj.


​Krasniqi: Urojmë që festat tjera t’i festojmë bashkë me krerët e UÇK-së që janë në Hagë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me rastin e festës së Fitër Bajramit ka bërë thirrje që vlerat e këtij muaji të na përcjellin edhe në 11 muajtë tjerë të këtij viti, pasi ato janë të domosdoshme për shoqërinë.

Krasniiq gjithashtu ka uruar që festat tjera në Kosovë të festohen së bashku edhe me krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në Hagë.

“Shpresojmë që këto vlera të vazhdojnë edhe në 11 muajtë tjerë sepse janë të rëndësishme dhe të domosdoshme për shoqërinë tonë dhe po ashtu si në çdo festë tjetër shfrytëzoj rastin që prej këtu tua urojmë festën e Bajramit miqve tanë, udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, themeluesve të saj, të cilët janë në Hagë, duke uruar që bajramet e ardhshme dhe festat tjera t’i festojmë bashkërisht këtu në Kosovë”, tha Krasniqi.


​Abdixhiku: Vlerat e festës së Fitër Bajramit të jenë vlera të popullit të Kosovës

Festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve mysliman ua ka uruar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Pas vizitës së tij në Bashkësinë Islame të Kosovës ku u takua me myftiun Naim Tërnava, i pari i LDK-së uroi që lutjet e besimtarëve të pranohen te krijuesi, derisa bëri thirrje që vlerat që përfaqëson kjo festë, të jenë edhe vlera njerëzore të të gjithë popullit të Kosovës.

“Duke u lutur që sakrifica, agjërimi dhe kontributi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit të pranohet tek krijuesi. Le të shpresojmë që vlerat e kësaj feste të muajit të shenjtë të Ramazanit të jenë vlera njerëzore të popullit të Kosovës gjatë gjithë kohës. Le të kujdesemi për njëri-tjetrin, le të jemi më solidar me njëri-tjetrin dhe tu dalim në ndihmë të gjithë atyre në nevojë”, tha Abdixhiku. /21Media

Back to top button