Liderët kujtojnë mirësinë e Nënë Terezës

Sot, është 111 vjetori i lindjes së nobelistes shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu-Nëna Terezës. Presidentja dhe Kryeministri i vendit kanë shprehur fjalë të mëdha për Nënë Terezën, në përvjetorin e saj.
Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Nënë Tereza kujtohet plot nderim simbolin e dashurisë dhe të paqes,” e cila botës ia dhuroi vlerat e mira të saj e të popullit të saj shqiptar”.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Gonxhja është emër botëror dhe shembull i mirësisë.
“Ajo ishte një nga nënat shqiptare që me bujari i ndihmoi atë që kishin nevojë. Ajo frymëzoi me mijëra e milionë njerëz. Ajo me lutje na përcjell edhe sonte në rrugën tonë si komb. Gonxhja lindi shqiptare në këto treva. Ajo është një shembull dhe e shenjta e mirësisë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, Don Lush Gjergji ka thënë se Nënë Tereza kishte mbi 130 shpërblime ndërkombëtare. Sipas tij, ajo ka nderuar popullin shqiptar, duke shpërfaqur të mirat e kombit.
“Uroj që manifestime të tilla të mos jenë vetëm nderime, por mbi të gjitha të kemi shpirtin terezian. Të frymëzohemi dhe të jetojmë siç veproi e jetoi ajo”, ka thënë ai.
Gonxhe Bojaxhiu-Nëna Tereza është lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo ishte shpërngulur në Irlandë dhe më pas në Indi, ku ka jetuar pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza ka themeluar Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar, i cili në vitin 2012 ka pasur më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo ishte lumturuar dhe është quajtur “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.
Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza është admiruar gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse.
Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, që sivjet koincidon me 5-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku (2016), Dioqeza Prizren-Prishtinë do të organizojë akademi solemne ditën e sotme, në orën 19:00 në Qendrën “BogdaniPolis”, që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza, në Prishtinë./21Media

Back to top button