Kërkohet shkarkimi i Sami Kurteshit

Demokraci Plus ka kërkuar sot nga presidentja Vjosa Osmani që në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ta shkarkojë nga detyra anëtarin e KQZ-së Sami Kurteshi, pas përfshirjes së këtij të fundit në një incident me një nëpunës të KQZ-së.
Sipas tyre, Sami Kurteshi është duke dëmtuar seriozisht integritetin e KQZ-së me veprimet e tij.
“Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, Kurteshi ka pranuar që është përfshirë në një incident me një nëpunës të KQZ-së, duke marrë përsipër rolin e policisë, në vend se të denoncoi në organet përgjegjëse personin në rast të mos respektimit të masave për mbrojtje nga COVID-19. Një ditë më herët, Kurteshi kishte deklaruar se nuk e ka sulmuar askënd. Ndryshimi i deklaratave nga një i emëruar publik është moralisht e gabuar. Ky nuk është rasti i vetëm kur Kurteshi dëmton integritetin e KQZ-së. I njëjti, në vazhdimësi në mbledhjet e KQZ-së ka përdorur gjuhë fyese dhe përçarëse, mizogjene, dhe bullizëm”, thuhet në komunikatën e Demokraci Plus.
Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, ka folur në lidhje me incidentin e djeshëm në objektin e këtij komisioni, ku ishte i përfshirë. Ai ka thënë se e ka nxjerrë jashtë një person pa maskë i cili ishte në korridorin e KQZ-së, ndërkaq është shprehur se nuk ka pasur as sharje e as fyerje, e as ndonjë sulm ndaj tij. /21Media

Back to top button