Limaj i bindur në fitoren e PDK-së, AAK-së dhe Nismës

“Në qeverisje detyrimisht rolin qendror duhet ta ketë Nisma”

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, nuk ka asnjë dilemë se koalicioni PDK-AAK-Nisma do të jetë fituese e zgjedhjeve të 11 qershorit, por që dilema e tij është se a do të mundin të gjithë ata që kanë dhënë premtime të mbajnë fjalën. E sipas tij, për këtë do të jetë Nisma në qeverisje për t’i bërë të gjithë ata që kanë premtuar ta mbajnë fjalën.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, në një bashkëbisedim me qytetarë dhe me struktura të Nismës në Suharekë, ka folur lidhur me rolin që e ka kjo parti në koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku sipas Limajt ata do të jenë aty për të mbajtur të gjithë përgjegjës për atë që e kanë premtuar.

“Nuk ka asnjë dilemë që ky koalicion i madh do ti fitoj zgjedhjet, unë se kam atë gajle, unë e kam një gajle tjetër çka do të bëjë ky koalicion mos do t’i rritet mendja. Rritet mendja, arroganca, dhe e han vetën sikur ata tjerët përpara. Kur e merr besimin e qytetarëve është përgjegjësi e madhe, nuk është vetëm privilegj, kam parë që njerëzit kanë nis të ndajnë detyra, është përgjegjësi e madhe se Kosova e ka edhe këtë rast për ti dhënë drejtim. Siç e thash nuk kam asnjë dilemë në rezultatin e këtij koalicioni, dilemat e mija janë a do të mundim, a jemi të gatshëm, a janë të gjithë të gatshëm ata që e flasin me mbajt fjalën. Për këtë duhet të jetë Nisma për Kosovën në qeveri dhe në parlament fuqishëm. Ne jemi aty për të premtuar që ne me Nismën ndryshe nuk mundesh me qeverisë përveç se me mbajte fjalën për atë që e ke dhënë”, tha ai.

Limaj para qytetarëve tha se nëse e duan që Kosova të ketë një qeverisje stabile, të fuqishme dhe dinamike atëherë duhet të mobilizohen të gjithë për ta mundësuar këtë qeverisje.

“Nëse doni me pas Kosova një qeverisje stabile, një qeverisje të fuqishme, dinamike, një qeverisje e cila nuk e humb shpresën dhe një qeverisje e cila e mbanë fjalën, një qeverisje e cila nuk e lejon me mashtrua qytetarin e vet, atëherë në qeverisje detyrimisht rolin qendror duhet ta ketë Nisma për Kosovën. Prandaj, është e rëndësishme mobilizimi jonë, është i rëndësishëm angazhimi jonë”, tha Limaj.

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se qeverisjes së Kosovës i duhet një lidership që merr vendime dhe që bënë reforma të thella në çdo sektor.

Ndërsa, ai tha se është koha e fundit që Kosovës t’i jepet një drejtim pasi që Kosova ka humbur shumë këto tri vitet e fundit.

“Nëse në këtë kohë nuk i japim një rrugë, një mundësi vendit tonë, kemi me pas probleme për vite të tëra. Tri vite kemi humbur dhe janë humbje shumë të mëdha për Kosovën, para tri viteve ne kemi thënë se ky koalicion është duke e humbur kohën e çmueshme të Kosovës, këta njerëz bashkë nuk kanë me muajt me bë bashkë asgjë. Ata nuk janë bashkuar për të qeverisur Kosovën  dhe i shihni rezultatet e asaj qeverie deri më tani. Prandaj na erdhën zgjedhjet e parakohshme dhe 11 qershori është një moment i rëndësishëm në drejtimin e vendit”, tha ai.

Së bashku me kreun e Nismës në këtë bashkëbisedim ishin edhe kandidatët për deputet Bilall Sherifi, Albulena Balaj, Haxhi Shala dhe Enver Hoti, të cilët para qytetarëve të Suharekës kërkuan besimin për qeverisjen e ardhshme.

Kujtojmë që sot është dita e parë e fushatës zyrtare për zgjedhjet e 11 qershorit, ku koalicioni PDK-AAK-Nisma, kanë hapur në një tubim me mijëra të pranishëm fushatën në Prishtinë në Sheshin “Skënderbe”.

Back to top button