Limaj: Kosova e Shqipëria duhet të heqin të gjitha taksat

Prodhuesit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë kanë kërkuar eliminimin e barrierave tarifore dhe jotarifore në sektorin doganor, si dhe hartimin e një agjende të specifikuar lidhur me njehsimin e sistemeve fiskale në kontekstin tarifor dhe procedurial

Këto janë kërkesat e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë në dhe Klubit të Prodhuesve të Kosovës, drejtuar qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Ata në një tryezë të përbashkët diskutuan lidhur me problemet që sipërmarrjet tregtare të të dy shteteve hasin gjatë aktiviteteve të tyre.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj bëri të ditur se nuk do të mungojë mbështetja institucionale për prodhuesit e të dyjave vendeve. Ai tha se për Kosovën dhe Shqipërinë është një lajm i mirë që dy promotorët e dy vendeve po bëjnë presione pozitive në drejtim të zhvillimit të ekonomisë të të dyja vendeve.

Limaj shtoi se sikurse Qeveria e Kosovës, ashtu edhe ajo e Shqipërisë e kanë për detyrë që të mbështesin krijimin e një partneriteti të fuqishëm të bizneseve, ku theksoi se të dyja vendet duhet të heqin të gjitha taksat.

“Kam parë draftin me kërkesat të cilat kanë klubet e prodhuesve të të dyja vendeve dhe është një moment i mirë që Kosova dhe Shqipëria të japin një shembull ndërmjet vete për heqjen e barrierave dhe hapjen e tregjeve. Ajo çka mund t’iu them unë sot është se Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar që biznesit tonë t’i jap sa më shumë hapësirë për t’u zhvilluar”, tha ai.

Sipas Limajt, Kosova para 7 vitesh ka pasur një ekonomi prodhuese pothuajse inekzistente, ndërsa theksoi se ky sektor sot ka marrë një hov.

“Ne si Qeveri kemi marrë sugjerimet dhe kemi nisë të marrim disa hapa konkret ku konkurrenca do të jetë fer dhe e barabartë për të gjithë. Qeveria e Kosovës me kujdes do t’i trajtojë kërkesat që kemi marrë, dhe besoj se edhe e Tiranës do të bëjë njëjtë”, tha ai.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani bëri të ditur se bilanci tregtar në mes Kosovës dhe Shqipërisë është 3:1, ku Kosova i eksporton Shqipërisë vetëm 50 milionë, ndërsa kjo e fundit i eksporton Kosovës rreth 150 milionë.

“Ne jemi duke punuar shumë si ministri që produktet të jenë sa më cilësore edhe për tregun evropian. Është lajm i mirë që dy prodhuesit andej dhe këndej kufirit kanë rënë dakord mes vete.  Ne do t’i rrimë krah prodhuesit tonë aty ku na lejon ligji, duke ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Jemi duke punuar që sa më shpejt të procedojmë ligjin për tregti të brendshme”, tha ai.

Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha tha se ka një rritje të shkëmbimit tregtar në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas tij, Kosova ka 50 milionë euro eksport në Shqipëri, që siç tha ai krahasuar me potencialin, ky është një volum tejet i ulët.

Ai ftoi Qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë që të implementojnë marrëveshjet e arritura deri më tash.

“Dy qeveritë kanë nënshkruar 15 marrëveshje deri më sot, por kjo nuk po reflektohet në lehtësimin e plasimit të prodhimeve të Kosovës në Shqipëri, për ne tregu i Shqipërisë duhet të jetë vazhdimësi e tregut të Kosovës”, tha ai.

Presidenti i Klubit të Prodhuesve Shqiptar, Filip Gjoka, shtroi rëndësinë që ka implementimi i këtyre marrëveshje në shtrimin e një klime të përshtatshme për të bërit biznes për të dyja vendet.

“Unë kam besim që dy qeveritë do të na e bëjnë më të lehtë punën”, shtoi ai.

Back to top button