Pas lirimit të politikanëve serbë, shpërndahen protestuesit

(Lajm i përditësuar)


Një numër i qytetarëve serbë janë shpërndarë pas përfundimit të protestës sot në Mitrovicën e Veriut.

Ata kanë përshëndetur lirimin e liderit të Demokracisë Serbe Aleksandar Arsenijeviq nga Policia e Kosovës, pasi ky i fundit së bashku me Stefan Velkoviq u arrestuan në Mitrovicë të Veriut, për pengim të zyrtarëve që po lyenin murin afër urës kryesore mbi Ibër.

Pas lirimit të tij, qytetarët kanë duartrokitur dhe Arsenijeviq ka shpalosur flamurin serb para qytetarëve serbë.


Lirohen serbët e arrestuar në veri

Janë liruar personat e arrestuar sot, pasi të njëjtit afër urës në Mitrovicën Veriore kanë penguar punëtorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të angazhuar nga autoriteti kompetent, për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste, që krijojnë nxitje dhe urrejtje.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se personat në fjalë janë paralajmëruar disa herë që të mos pengojnë punën dhe të largohen, mirëpo të njëjtit kanë vazhduar duke penguar dhe duke mos lejuar realizimin e punimeve, si dhe kanë provokuar dhe kanë nxitur tensione.

Njësitet policore më pas kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim dy persona e të njëjtit janë liruar.

Postimi i plotë:

Sot, me datën 08.08.2024 rreth orës 11:00, disa persona të nacionalitetit serb ishin tubuar në një lokacion afër urës në Mitrovicë Veri dhe të njëjtit kanë filluar të pengojnë punëtorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të angazhuar nga autoriteti kompetent, për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste, që krijojnë nxitje dhe urrejtje si “severna brigada” etj. të cilat ishin në shesh afër urës.

Personat në fjalë janë paralajmëruar disa herë që të mos pengojnë punën dhe të largohen, mirëpo të njëjtit kanë vazhduar duke penguar dhe duke mos lejuar realizimin e punimeve, si dhe kanë provokuar dhe kanë nxitur tensione.

Njësitet policore relevante, me qëllim të qetësimit të situatës dhe krijimit të mundësive për punë, janë detyruar të veprojnë dhe kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim dy persona.

Personat e shoqëruar në stacion policor, pas intervistimit janë liruar.


Protestë në veri pas arrestimit të dy politikanëve serbë

Serbët e punësuar në institucionet publike serbe në Mitrovicë të Veriut po protestojnë para stacionit policor në Mitrovicë të Veriut, pas arrestimit të dy politikanëve serbë më 8 gusht.

Në mesin e protestuesve ka edhe udhëheqës të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Aleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Velkoviq nga partia Demokracia Serbe, u arrestuan në Mitrovicë të Veriut.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se ata u arrestuan për pengim të punëtorëve të kësaj komune, të cilët ishin duke lyer në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër.

Sipas Elshanit, Arsenijeviq ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ka refuzuar urdhrat policore.


Policia arreston politikanin serb për “pengim të punëtorëve të komunës së Mitrovicës së Veriut”

Aleksandar Arsenijeviq nga partia Demokracia Serbe është arrestuar në veri të Kosovës, konfirmoi për rel zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Sipas Elshanit, Arsenijeviq ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ka refuzuar urdhrat policore.

Ai është arrestuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, ku punëtorët e komunës ishin duke lyer.

Arrestimi i Arsenijeviqit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut mbahet një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.


Fillon takimi me qytetarë në veri

Në Komunën e Mitrovicës së Veriut ka nisur takimi me qytetarët, aktivistët e shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik dhe bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

Në takim të pranishëm pos kryetarit të komunës, Erden Atiq, janë edhe ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi si dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani.

Ndryshe një ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se qytetarët do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit institucionalë dhe institucionet e vendit, duke ftuar edhe qytetarët serbë që të marrin pjesë në këtë diskutim.

Back to top button