Lirohet “Ballisti”

Gjykata e Durrësit liroi Ismail Morinën. Dënimi u konvertua në 5 muaj shërbim prove.
Ismail Morina, tifozi i kombëtares së Futbollit që do të mbahet mend për dronin me flamurin “autokton” në mes të Beogradit është ndaluar më 25 maj 2022, pasi duhet të vuajë dënim prej 5 muajsh burg për armëmbajtje.
Superfansi i kombëtares së futbollit që më së shumti njihet me nofkën “Ballisti” është ndaluar në qytetin e Kukësit.
Si ishte dënuar në 2015?
40-vjeçari ka qenë në listën e personave në kërkim të Policisë së Shtetit për një histori të nisur në vitin 2015. Në tetor të atij viti, ai ishte arrestuar në Tiranë me armë pa leje dy ditë para ndeshjes Shqipëri-Serbi.
Në gjyq, ai ka deklaruar se i ka mbajtur për vetëmbrojtje pas kërcënimeve të ekstremistëve serbë për aktin e tetorit 2014 në Stadiumin e Beogradit, ku ka qenë duke u zhvilluar ndeshja Serbi-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e “Euro 2016”.
Në korrik të vitit 2016, Gjykata e Tiranës e ka dënuar atë me 2 vjet burg, dënim i cili ishte ulur në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Asokohe ai nuk ka qëndruar asnjë ditë në qeli.
Gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke e lënë atë në liri me kusht për një periudhë 18 mujore. Por Ballisti, mësohet se nuk e kishte respektuar vendimin dhe për një kohë të gjatë nuk ishte paraqitur pranë shërbimit të Provës.
Ndaj gjykata e Durrësit ka revokuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për lirinë me kusht dhe kishte vendosi ta kthejë në burg.
Për shkak të shkeljes, sipas llogarive të drejtësisë, Ismail Morina duhej të vuante në qeli 5 muaj e 12 ditë burgim.
Pas vendimit, 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim dhe pas rikthimit në Shqipëri ka përfunduar në pranga deri sot 31 maj 2022, kur dhe është dhënë vendimi, me ç’rast dënimi me burg është konvertuar në shërbim prove./oranews

Back to top button