Lirohet Molliqaj dhe aktivistët e tjerë të PSD-së

Policia ka dhënë detaje për rtv21.tv lidhur me arrestimin e sotëm të pesë aktivistëve të Partisë Socialdemokrate, të cilë kanë ndërprerë konferencën për medie të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka deklaruar se me vendim të prokurorit të shtetit ndaj dy të dyshuarve është iniciuar hetim për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” përderisa ndaj të gjithëve është iniciuar “Procedurë Kundërvajtëse”.
Sipas Borovcit, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.
“Rreth orës 10:00 është pranuar informata për një aktivitet të paparalajmëruar nga një grup personash, të ndodhur në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. Veprimet që kanë karakterizuar këtë aktivitet kanë determinuar reagimin policor dhe për rrjedhojë pesë nga këta persona janë shoqëruar në stacionin policor. Hetuesit policor të udhëhequr nga prokurori i shtetit kanë kryer veprimet preliminare hetimore me qëllim të sqarimit  dhe ndriçimit të plotë të rrethanave që kanë karakterizuar ngjarjen.”, ka bërë të ditur ndër të tjera Borovci.
Dy aktivistë të Partisë Socialdemokrate kanë hyrë sot në konferencën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova me fishkëllima, duke e kundërshtuar punën e kësaj gjykate dhe duke thënë që nuk mund të lejojnë të raportojë në heshtje.
Trendafilova ka reaguar duke thënë se nuk e ka kuptuar se çfarë kanë kërkuar aktivistët.
“Me vjen keq që se kuptova çka tha ky djalosh besoj deshi të bëj pyetje por është mirë që dikush të na përkthejë. Po ju qaseni këtij takimi në mënyrë ekocionale, por të jemi të qetë të vazhdojmë pastaj mund të bëni pyetje”, ka thënë Trendafilova./21Media

Back to top button