Lista Serbe për emërimin e Rashiqit: Do ta ankimojmë në Kushtetuese

Lista Serbe e ka cilësuar si antikushtetues emërimin e Nenad Rashiqit si ministër për Komunitete dhe Kthim nga kryeministri Albin Kurti.
Sipas kësaj liste, ky vendim i cili u mor pa pëlqimin e deputetëve serbë, është shembulli më i mirë i veprimit autokratik, diktatorial, antikushtetues, dhe ilegal i Kurtit.
“Konkretisht, me këtë emërim, Albin Kurti ka shkelur nenin 96, paragrafin 5 të Kushtetutës, ku thuhet se për emërimin e një ministri nga radhët e popullit serb, i cili nuk është deputet, duhet të jetë pëlqimi i shumicës së deputetëve serbë – gjë që nuk e ka bërë Albin Kurti, e as Rashiq nuk e ka mbështetjen e deputetëve tanë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Ata shtojnë se kundër “lëvizjes diktatoriale të Albin Kurtit, deputetët e Listës Serbe do të bëjnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të duhet të konfirmojë pa vonesë se është shkelje e kushtetutës dhe shkelje e të drejtave të popullit serb”.

Back to top button