Lista Serbe thotë se serbët s’do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë

Lista Serbe ka thënë të premten se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë, për t’i dërguar “mesazh të qartë” kryeministrit kosovar Albin Kurti.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë do të zhvillohet nga data 5 prill deri më 17 maj.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që e gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “shtypjen shumëvjeçare të serbëve” në Kosovë.

“… dëshirojmë t’i dërgojmë një mesazh të qartë Albin Kurtit dhe ata që e mbështesin atë se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e rrejshëm të ardhshëm në organizatën e tij, me të cilën ai dëshiron të konfirmojë suksesin e tij të turpshëm në dëbimin e serbëve”, tha Lista Serbe në “Facebook”.

Pjesëmarrja në regjistrim të popullsisë kërkohet me ligj dhe në rast refuzimi, qytetari mund të penalizohet me 30 deri në 2,000 euro.

Back to top button