Lista Serbe vazhdon bojkotin e Kuvendit, nesër shkon në Beograd

Deputetët e Listës Serbe do të mungojnë edhe në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, pasi do të marrin pjesë në Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Serbisë, pak ditë para përfundimit të afatit për konvertimin e targave serbe në RKS.
Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë në Facebook, se Lista Serbe vazhdon të mbajë konsultimet dhe punimet e saj vetëm me dhe në Beograd.
“Nesër më datë 27.10.2022, Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancën plenare të radhës. Siç e dini, tash e katër muaj radhazi Lista Serbe nuk merr pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës dhe i bojkoton në tërësi angazhimet e saj. E pikërisht nesër, Lista Serbe nuk vjen në punimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, por shkon në punimet e Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Serbisë, të kryesuar nga Vuçiq. Me këtë rast është mirë t’i rikujtojmë dhe rikonfirmojmë publikut të gjerë vendor e ndërkombëtar se Lista Serbe vazhdon të mbajë konsultimet dhe punimet e saj vetëm me dhe në Beograd!”, ka shkruar Kërçeli në Facebook.
Vuçiq për nesër ka thirrur Këshillin Kombëtar të Sigurisë për shkak të vendimit të Kosovës që të mos shtyjë vendimin e saj për ri-regjistrimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia në ato RKS./21Media
 

Back to top button