LIVE- MPB-ja pas lëndimit të një polici në Zveçan: Kriminelët do të identifikohen

(Lajm i përditësuar)


Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka reaguar pas lëndimit të një polici në Zveçan, pasi veturat e Policisë u sulmuan nga një grup personash të maskuar.

Derisa e ka quajtur sulmin kriminal, MPB-ja ka thënë se sot Policia është sulmuar dy herë nga grupe të maskuara kriminale.

Përmes një postimi në “Facebook”, MPB-ja ka thënë se në të dy rastet, nga të cilat janë dëmtuar 2 automjete policore dhe është lënduar një pjesëtar i Policisë, nuk ka pasur asnjë provokim paraprak. Përkundrazi, ka vigjilencë të shtuar të Policisë për të qetësuar situatën dhe për të parandaluar çdo eskalim të mundshëm.

“Sulmet e tilla janë të papranueshme. Këto grupe huliganësh po vijojnë të dëshmojnë se janë të orkestruara dhe të dirigjuara nga Beogradi që të destabilizojnë vendin tonë. Sulmet e tyre po rrezikojnë jetën e zyrtarëve policorë, pjesëtarëve të KFOR, gazetarëve dhe të gjithë qytetarëve në veri të vendit. Kriminelët do të identifikohen dhe do të ballafaqohen me drejtësi”, ka thënë MPB-ja.


Lëndohet një zyrtar i Policisë së Kosovës në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e pasdites në intervale të ndryshme kohore disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre iu janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat. Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policorë ka pësuar lëndime.

Po ashtu Policia ka njoftuar se gjatë protestës së realizuar sot, disa media/gazetarë janë penguar e sulmuar, si dhe automjetet e tyre ishin vandalizuar nga individ/grupe kriminale. Pengimi i gazetarëve në detyrë cenon të drejtën e shprehjes, informimit dhe lirinë e shtypit.

“Ne jemi të përkushtuar të hetojmë këto akte kriminale dhe të parandalojmë shfaqjen e dhunës. Njëkohësisht Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë protestuesve që të përmbahen nga dhuna dhe të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.


Protestuesit serbë sërish sulmojnë Policinë e Kosovës

Një veturë e Policisë së Kosovës është sulmuar afër objektit komunal në Zveçan.

Ekipi i RTV21 në Zveçan ka siguruar pamje kur serbët gjuajnë gurë e gjësende të forta në drejtim të veturës.


Shtohet numri i ushtarëve të KFOR-it në Zveçan

Forca të reja me numër të shtuar të KFOR-it kanë shkuar në Zveçan atje ku po protestohet nga serbët para ndërtesës së Komunës.

RTV21 ka siguruar pamje të KFOR-it duke shkuar për veri.


Shpërndahen protestuesit serbë në Leposaviq 

Situata në Leposaviq vazhdon të mbetet e qetë, ndërsa protestuesit janë shpërndarë.

RTV21 sjellë pamje nga atje.

Sulmohet një veturë e Policisë së Kosovës në Zveçan

Një veturë e një njësie policore të Kosovës është sulmuar afër objektit komunal në Zveçan.

Ekipi i RTV21 në Zveçan ka raportuar se gjatë orës së fundit është vërejtur tensionim i situatës në këtë qytet. Në një moment, protestuesit raportohet se e kanë kundërshtuar kalimin e një veture të Policisë së Kosovës duke e sulmuar me gurë.

Policia e Kosovës për portalin rtv21.tv ka konfirmuar se të mërkurën në Zveçan është dëmtuar një automjet i saj zyrtar në Zveçan.

Sipas Policisë, sulmi ka ndodhur rreth orës 14:00, derisa njësia policore ka qenë duke patrulluar afër objektit të komunës në Zveçan.

Sipas saj, sulmi dyshohet të jetë kryer nga një grup i personave, të cilët kanë gjuajtur me mjete të forta.

Nuk ka raportime për të lënduar, derisa Policia ka thënë se rasti është duke u hetuar.


Ushtari amerikan i thotë Rakiqit: S’lejojmë të përsëritet situata e të hënës

Eprori i ushtarëve amerikanë të cilët janë të vendosur pranë ndërtesës së Komunës së Zveçanit, i ka thënë kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, se nuk do të lejojnë të përsëritet situata e së hënës.

Sipas tij, të hënën, ushtarët e KFOR-it kanë larguar plumba nga jelekët të cilët janë shkrepur nga armë të cilat, ai thotë se nuk janë të KFOR-it.


16:15- Përfundon protesta në Zveçan

Protestuesit serbë në komunën e Zveçanit janë shpërndarë rreth orës 16:00.


16:03 – Përfundon protesta në Zubin Potok

Protestuesit në Zubin Potok kanë filluar të shpërndahen. Ata qëndruan para objektit të Komunës per ore të tëra, ndërkohë që në QMF vendosen një flamur gjigant të Serbisë.

Në protestën e sotme nuk u panë serbë me maska, ndërsa në mesin e tyre pati edhe fëmijë.

Ajo që ra në sy ishte edhe fakti se protestuesve iu soll ushqim në mënyrë të organizuar.

Ndërkaq, në fund të ditës një protestues që u dyshua të jetë i dehur, ka tentuar t’i afrohet Policisë së Kosovës, por i njëjti u largua nga qytetarët e tjerë serbë.


14:58- Situata në Leposaviq e qetë, bie numri i protestuesve

Situata në Leposaviq vazhdon të mbetet e qetë, numri i protestuesve ka rënë derisa ish kryetari i komunës se Leposaviqit, Zoran Todiq, ka thënë se do të qëndrojnë këtu deri sa të plotësohen kërkesat e tyre, raporton RTV21

Sipas informacioneve protesta ne Zubin Potok dhe Zveçan pritet të përfundojë ora 16: 00.


14:30- Sulmohet sërish ekipi i RTV21 nga protestuesit serbë, gazetari Zariqi u godit me boks

Ekipi  i RTV21 është sulmuar  prapë derisa po raportonte në veri të vendit konkretisht në Zveçan ku nga atje po raportojnë gazetari Burim Zariqi dhe kameramani Arian Havolli.

Gazetari Burim Zariqi u godit nga një protestues me boks në shpinë anash.


13:00-Largohen tri vetura nga oborri i komunës së Leposaviqit

Tri vetura të cilat kanë qenë pronë e disa qytetarëve të  komunitetit serb janë larguar nga objekti i Komunës së Leposaviqit.


12:56 – Macron bën përgjegjëse Kosovën për situatën në veri

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se autoritetet e Kosovës duhhet të “mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm” në veri të vendit

Macron i bëri komentet në një konferencë për sigurinë në Bratisllavë.

Në këtë forum po merr pjesë e dhe Kryeministri i kosovës Albin Kurti i cili ndër tjerash tha se fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët e pastaj të ulet numri i policisë së pranishme në veri


12:27- Kurti për sanksionet e SHBA-së: Jem i brengosur por jo i frikësuar 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është i brengosur, por jo  i frikësuar pas sanksioneve të SHBA-ve ndaj Kosovës, që përcollën zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Kurti në Bratislavë ka thënë mesazhi i SHBA-së ishte i fortë dhe se po përpiqen që të gjejnë rrugëdalje.

“Ju pyetët a jeni i frikësuar, apo i brengosur. Jam i brengosur gati gjithë kohën, po nuk frikësohem. Sepse prapë është përshkrim i punës që të mos frikësohem, por të brengosem. SHBA-ja ka përçuar një mesazh të fuqishëm, po përpiqemi fort që të gjejmë rrugëdalje, dhe rrugëdalja nuk duhet të jetë rrugë e lakuar, por një hekurudhë.”, tha Kurti.


12: 25-Kurti për situatën në veri: Së pari të largohen huliganët, pastaj bëhet ulja e numrit të policëve

Në Forumin e Bratisllavës, Kryeministri Albin Kurti fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët e pastaj të ulet numri i policisë së pranishme në veri.

“Po punojmë shumë të gjejmë rrugëdaljen. S’duhet të jetë rrugë e lakuar, por me dy traka. E para të dilet nga kriza me sundim të ligjit, huliganët në Serbi ose në burg në Kosovë, e më pas ulja e numrit të policisë dhe normalizim të situatës dhe implementimi i shpejtë, i plotë, pa shtyrje e pakushte i marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Kurti në Forumin e Bratislavës.


12: 15-Kurti në Bratisllavë: Vuçiqi i ka rënë pishman që ka bërë marrëveshje

Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, në Forumim “Globsec 2023” në Bratisllavë ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i “ka rënë pishman arritjes së Marrëveshjes”.

“Serbia është fqinja jonë veriore, por nuk e njeh Kosovën dhe ka thënë se s’do ta njohë kurrë, ndonëse se ka një marrëveshje më 27 shkurt e po ashtu një plan zbatimi të dakorduar në Ohër më 18 mars. Situata është e tensionuar, pasi kemi një tekst të përgatitur e të kthyer në Traktat bazë mes Kosovës dhe Serbisë që në esencë është njohje de facto. Zbatimi mungon, pasi Beogradi nuk do”, tha Kurti.

Ai ka folur për situatën në veri dhe zgjedhjet në katër komunat veriore që u mbajtën më 23 prill.

“Komuniteti ndërkombëtar njohu këto zgjedhje, kështu që kryetarët duhet të shkojnë në zyra, që janë prona të Republikës sonë, e janë të zbrazuar. Kur ata tentuan të shkonin, banditë filluan të sulmonin policinë tonë dhe ushtarët e NATO-s”, tha Kurti.


11:50-Sot më shumë protestues serbë në Zubin Potok, provokojnë me këngë nacionaliste

Edhe sot po vazhdon protesta në pjesën veriore të vendit.

Në Komunën e Zubin Potokut ka një numër më të madh të protestueseve në krahasim me ditën e djeshme. Ndërkaq, për dallim nga ditët tjera, sot nuk shihet ndonjë protestues me maska.

Pranë objektit ka pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa pak më tej ka pjesëtarë të KFOR-it.

Protestuesit vazhdojnë të provokojnë me këngë nacionaliste.

Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.


11: 20-Ish-kryetari i Zveçanit përsërit kërkesat e serbëve

Ish-kryetari i Zveçanit, Dragisha Milloviq, po pretendon se nuk ka grupe kriminale në protestat në veri të vendit.

Në protestën e sotme e cila po vazhdon në Komunën e Zveçanit kundër kryetarëve shqiptarë deklaroi po ashtu protesta e sotme do të jetë e qetë.

Milloviq edhe sot i ka përsëritur kërkesat e protestuesve të cilët po kërkojnë tash e tri ditë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe në veri.

Ai ka përmendur seancën gjyqësore ndaj dy të arrestuarve ditë më parë duke thënë se shumëçka do të varet nga epilogu i vendimit të gjykatës.

Qysh në orën shtatë të mëngjesit protestuesit serbë kanë nisur grumbullimin para objektit të Komunës së Zveçanit.

Ndërsa, protestuesit në këtë komunë janë parë duke shpalosur një flamur gjigant të Serbisë.

Me qëllimi të shtimit të sigurisë, forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë vendosur tela gjemborë rreth objektit të komunës në Zveçan. Ndërsa, shihet edhe prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.


10:40- Edhe punëtorët shëndetësor serbë  i janë bashkuar protestës në Zveçan, provokojnë me këngë

Protestës së serbëve në Zveçan i janë bashkuar edhe punonjësit shëndetësorë të cilët janë vendosur në rendin e parë të protestës.

10:00- KFOR shton numrin e trupave rreth Komunës së Zveçanit

Misioni paqëruajtës i KFOR-it ka  shtuar numrin e trupave përreth objektit të Komunës së Zveçanit, raporton RTV21.


09:53-Lajçak për situatën në veri: S’është problemi kush e nisi, nëse kriza s’përfundon, të gjithë humbin

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është e rëndësishme që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

Lajçak në një intervistë për mediumin Italian “La Stampa” ka deklaruar k se nuk është problemi se kush i nisi tensionet, porse si të përfundohen ato.

“Problemi nuk është se kush i filloi ato. Nëse kriza nuk përfundon, atëherë të gjithë humbin”, ka thënë Lajçak.

Për katër ditë rresht serbët në tri komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq  po protestojnë. Ata po refuzojnë vendosjen e kryetarëve të sapozgjedhur në objektet e komunave,  si dhe largimin e Njësitit Special të Policisë së Kosovës.


09:20: Protestuesit në Zveçan mbajnë në duar një flamur gjigant të Serbisë

Numër i madh i protestuesve serb janë mbledhur në Zveçan. RTV21 raporton nga vendi i ngjarjes se ata në duar po mbajnë një flamur gjigant të Serbisë.


08:34-Situatë e qetë në Leposaviq, protestuesit qëndrojnë afër Komunës

Edhe në Leposaviq protestuesit janë mbledhur, sië raporton RTV21 nga vendi i ngjarjes ata po qëndrojnë afër objektit të komunës derisa situata është e qetë.


08: 12-Protestuesit kanë filluar të mblidhen në Zveçan

Protestuesit në Komunën e Zveçanit kanë filluar të mblidhen, derisa vërhet edhe pjestarët e KFOR-it duke ruajtur rendin.


08:00- Blinken kërkon shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri, dënon sulmet ndaj KFOR-it

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka dënuar  ushtarëve të KFOR-it gjatë tensioneve në veri derisa  ka kërkuar shtensionim të menjëhershëm të gjendjes.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme dje kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve.”, thuhet në një deklaratë të Blinken e publikuar në orët e hershme të mëngjesit sipas orës në Kosovë.

Blinekn i ka kërkuar Qeverisë që kryetarët e komunave të veriut të ushtrojnë detyrën në objektet alternative.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia.”, thuhet në deklaratë.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje të dyja palëve që t’i përkushtohen dialogut.

“Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, vijon deklarata.

Derisa Serbisë i ka kërkuar që ta ul statusin e siguruisë të Frocave të armatosura serbe.

“Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë së sfiduari KFOR’in dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.”, thuhet në deklaratë


07:46- KFOR-i përforcon barrierat rreth objektit të Komunës së Zveçanit

Objekti i Komunës së Zveçanit vazhdon të jetë e rrethuar me barriera, madje në orët e hershme të mëngjesit KFOR-i i ka shtuat ato duke vendosur tela me gjemba.

Ekipi i RTV21  edhe sot do të raportojë nga vendi i ngjarjes


07: 25- Serbët në veri protesojnë edhe sot

Në komunat veriore të vendit ku serbët po protestojnë qe disa ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave të këtyre komunave.

Për dallim nga ditët e kaluara, gjatë natës së mbrëmshme në komunën e Zubin Potokut, pjesëtarët e Policisë së Kosovës që qëndruan për tre ditë me radhë në vijën e parë përballë protestuesve, janë zëvendësuar me ushtarë të KFOR-it, ndërsa policët ndodhen brenda objektit komunal.

Serbët kanë paralajmëruar për sot nga ora 7:00 të mëngjesit protesta më masovike në këto komuna.

Ndërkaq, në veri të Mitrovicës pranë ndërtesës së Komunës nuk ka pjesëtarë të KFOR-it dhe as prani të shtuar të policëve, përveç një automjeti të këtyre të fundit që ndodhet disa metra larg objektit komunal.

Back to top button