Lladrovci për RTV21 tregon cilat projekte po realizohen në Drenas
Në një intervistë për portalin rtv21.tv kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka treguar për punët që ka nisur në mandatin e dytë të tij si kryetar Komune dhe projektet e tjera që po e presin.
Puna e parë e Lladrovcit
I pyetur se cili është projekti i parë që ka iniciuar me të marrë mandatin për herë të dytë, Lladrovci për portalin rtv21.tv është përgjigjur se kanë vazhduar me rregullimin e kolektorëve në gjithë territorin si dhe rehabilitimi dhe zgjerimi i rrugës “Ilaz Kodra” në qytet me ndërtimin e katër korsive.
Puna më e madhe e Lladrovcit
I pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci për rtv21.tv ka thënë se projeki më i madh në kuadër të Komunës që do të jetësohet në këtë mandat është përfundimi i kolektorëve.
“Me përfundimin e këtij projekti do të pastrohen të gjithë lumenjët dhe përrockat në Komunën e Drenasit dhe jemi Komuna e parë në Kosovë e cila bënë trajtimin e ujërave të zeza në të gjitha vendbanimeve përmes kolektorëve”, ka thënë ai.
Ndërsa, ka përmendur edhe projektet e tjera që Komuna ka iniciuar në këtë mandat.
“Projekt i iniciuar është zgjerimi dhe ndërtimi i sheshit, rehabilitimi dhe zgjerimi i rrugëve në qytet, ndarja e rrjetit të ujërave të zeza dhe atyre atmosferike në qytet të cilat deri më tani kanë qenë së bashku pa ndarje. Po ashtu janë iniciuar të gjitha projektet të cilat janë miratuar me listën e investimeve kapitale nga buxheti komunal për vitin 2022 dhe ato do të përfundohen sipas planifikimit. Po ashtu edhe projektet nga niveli qendror, janë iniciuar dhe presim që të realizohen gjatë vitit”, është përgjigjur Lladrovci për portalin rtv21.tv.
Buxheti i Drenasit
Për vitin 2022, buxheti i Komunës së Drenasit është 15 milionë e 846 mijë e 91 euro dhe këto mjete sipas Lladrovcit janë të planifikuara në këto kategori; paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime, shpenzime për shërbime komunale, subvencione dhe transfere si dhe investime kapitale, ku vlera për investime kapitale mbi 4 milionë.
Çka premtoi dhe çka po punon Lladrovci për Drenasin
Në planet e Lladrovcit për shëndetësin e Drenasit është edhe ndërtimi i një objekti të ri i QKMF-së në Drenas.
“Gjatë mandatit do të ndërtohet objekti i ri i QKMF-së në Drenas, vazhdimi i projektit në kujdesin shëndetësor i qasshëm dhe cilësorë ku janë të përfshira; furnizim me dy autoambulanca, avancimi i mëtutjeshëm i projektit kujdesi shëndetësor i qasshëm dhe cilësor në programin mbështetës katër vjeçar i cili mbështetet në realizimin e agjendës së reformës në sektorin shëndetësor kombëtar (varësisht nga Strategjia Sektoriale Shëndetësore e Ministrisë së Shëndetësisë 2022-2026) dhe plotëson programet tjera mbështetëse nga donatorët me fokus në nivelin e kujdesit parësor shëndetësor duke implementuar mjekësisë familjare”, ka thënë Lladrovci duke shtuar se kjo është e mbështetur në 6 shtylla; 1. Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të mjekësisë familjare, 2. Organizimi më i mirë i burimeve njërëzore, 3. Përmirësimi i sistemit të informimit shëndetësor, 4. Qasja e pacienteve në teknologinë më esenciale mjekësore, 5. Qëndrueshmëri më të mirë financiare shëndetësore, 6. Qeverisje dhe përgjegjësi menaxheriale zingjirore të sistemit shëndetësor.
Ramiz Lladrovci gjatë fushatës zgjedhore pati premtuar ujë pa pagesë për bujqit, por a është duke punuar komuna në këtë aspekt, tregon Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
“Është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit mes Komunës së Drenasit dhe IBËR Lepencit për ujitjen e tokave bujqësore për 200 hektarë dhe nga muaji Qershor i këtij viti, atëherë edhe kur fillojnë kërkesat e fermerëve do të bëhët ujitja e këtyre hapësirave gjatë sezonit Qershor-Shtator të këtij viti”, ka thënë ai.
Lladrovci në një intervistë për portalin rtv21.tv ka thënë se do të subvencionohen bizneset e vogla dhe ato të reja me rreth 150 mijë euro, po ashtu gratë biznesmene të Drenasit do të lirohen nga pagesa e taksës komunale për tri vjet.
Ndërsa sa i përket fushës së arsimit, Lladrovci për rtv21.tv ka thënë së janë duke u bërë përgatitjet për digjitalizimin e bibliotekave. Ai ka shtuar se ka filluar një pilot projekt në një shkollë dhe gjatë këtij viti, sipas tij do të fillojnë me shtritjen e projektit edhe në shkolla tjera.
Diçka unike për Drenasin
I pyetur se çka do të ndryshojë/investojë në Drenas, diçka që Drenasi nuk e ka pasë asnjëherë, kryetari Lladrovci është përgjigjur se gjatë këtij mandati të githa rrugët publike në Komunën e Drenasit, do të kenë infrastrukturën e kompletuar, duke përfshirë, asfaltim, rrjetin e ujërave të zeza dhe ndriçim./21Media