Lladrovci: Sot ishte dita e manifestimit të zhgënjimit qytetar

Deklarata e Lladrovcit pas protestës

Qytetarë të shumtë nga komuna të ndryshme të Kosovës kanë protestuar sot si shenjë revolte, ndaj rastit të abuzimit seksual me të miturën nga Drenasi. Prezent në këtë protestë ishte edhe i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci i cili ka thënë se kjo ishte ditë e manifestimit të zhgënjimit qytetar në Drenas.

“Sot, ishte një ditë e rëndë për të gjithë neve, ishte ditë e manifestimit të zhgënjimit qytetar në Drenas, ndaj rastit të abuzimit të vajzës së mitur, nga njerëzit e tri profesioneve që gëzojnë besimin e secili qytetar. Së bashku me qytetarët e mi, me nxënësit, shpreha qëndrimin tim qytetar, ndaj rastit të pashembullt në vendin tonë, ndaj abuzimit të të miturës, si një nga plagët më të rënda për një vajzë.

Ishte ditë e rëndë sepse, rrugëve të komunës tonë, shprehëm solidaritet me vuajtjet e vajzës së abuzuar si dhe të familjes së saj,
Ishte ditë e shprehjes së pakënaqësisë ndaj veprimeve të një arsimtari,
ishte ditë, e shprehjes së pakënaqësisë ndaj veprimeve të një polici,
ishte ditë e shprehjes së pakënaqësisë ndaj veprimeve të një mjeku,
për të mos u përsëritur kurrë, askund,
për t’u trajtuar dhe vlerësuar në pajtim me ligjet në fuqi.”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Sipas tij, ky rast nuk duhet të lëkund besimin në institucione dhe ka kërkuar nga organet gjegjëse të ndriçojnë rastin.

“Shpërdorimi i detyrës nga një individ, nuk guxon të na lëkund besimin tonë në arsim, polici, mjekësi e as prokurori, profesione të çmuara dhe të respektuara nga të gjithë qytetarët. Në këtë rast, presim sa më shpejt, organet gjegjëse të japin vendim për çfarëdo shkelje të detyrave apo përgjegjësive që bien ndesh me ligjin, nga të gjithë personat e implikuar në rastin e abuzimit. Komuna jonë, qoftë e fundit që ka përjetuar një shembull të tillë tragjik për vajzën, për familjen e saj dhe të gjithë neve!”, ka shtuar më tej Lladrovci.

Të martën në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë.

Dje zyrtarit policor i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Po ashtu janë arrestuar edhe mësimdhënësi dhe gjinekologu që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast./21Media

Back to top button