Ministri i Tregtisë vendos tarifë për importin e miellt nga Serbia

Nga 23 tetor mielli që importohet nga Serbia do të paguaj tarifë prej 0.04 cent

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka vendosur masën mbrojtëse për prodhuesit vendor të Kosovës.

Që nga data 23 tetor mielli që importohet nga Serbia do të paguaj tarifë prej 0.04 cent për import të miellt. Me këtë vendim MTI e udhëzon doganën e Kosovës që t’i ndërmarr të gjitha masat për mbrojtjen e prodhuesve të miellit duke e aplikuar tarifën prej 0.04 centë.

Ky vendim është marrë pas ankesës së kompanisë prodhuesve vendore “M&Sillosi” dhe Shoqatës së Mullisëve të Kosovës. Pasi kanë konstatuar se importi i miellit nga Serbia po importohet në Kosovë me çmime më të ulëta se sa vlera e çmimit të tregut, respektivisht nën koston e prodhimit, ku po e rrezikon industrinë prodhuese të miellit në përgjithësi në Kosovë.

Në vendimin e MTI-së, të cilin e ka siguruar kp, thuhet se ky vendim është bazuar në Memo-në shpjegues të Departamentit të Tregtisë dhe Komisionit për vlerësimin e masave në import të datës 19.10.2017-të , Dogana e Kosovës udhëzohet që të ndërmarr të gjitha masat për mbrojtjen e prodhuesve të miellit të aplikuar tarifën në masën prej 0.04 centë. Po ashtu në vendim thuhet se Ministria do të përcjell në vazhdimësi efektin e këtyre masave dhe në varësi të lëvizjeve në treg do të veproj sipas nevojës.

Po ashtu është siguruar edhe Memo shpjeguese lidhur me rekomandimin për vendosjen e masës përfundimtare lidhur me importin e miellit që importohet nga Republika e Serbisë në Republikën e Kosovës.

“Në Departamentin e Tregtisë në kuadër të MTI-së, me datën 07 prill 2017-të është adresuar kërkesa nga kompania për prodhimin e miellit “M&Sillosi”, kërkesë e cila është iniciuar po ashtu edhe nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës me datën 2 qershor 2017-të , e cila kërkon të mbrohet prodhimi vendor konkretisht mielli, me dyshimin se importohet nga Serbia në Kosovë me çmime më të ulëta se sa vlera e çmimit të tregut , respektivisht nën koston e prodhimit, ku po e rrezikon industrinë prodhuese të miellit në përgjithësi në Kosovë. “, thuhet në Memon rekomanduese .

Po ashtu në këtë dokument mbi të cilin bazohet vendimi, thuhet se ekipi i Departamentit të Tregtisë në bashkëpunim me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Import, ka përfunduar një hulumtim të detajuar në lidhje me shkresën në fjalë, me qëllim të identifikimit të gjendjes reale të importit të miellit nga Serbia dhe për të konstatuar se a ka dumping në këtë produkt. Për këtë qëllim, ekipi hulumtues bazuar në ligjin mbi masat anti-dumping dhe masat kundër -balancuese ka shfrytëzuar dy metoda për identifikimin e problemit.

Nën një metodën e kostove të prodhimit dhe Metodën e vlerës reale të çmimit të tregut. Po ashtu mes tjerash në Memo thuhet se hulumtimi i kryer në lidhje me çmimet e deklaruara me rastin e importit të miellit në Kosovë nga Serbia , tregon se çmimi mesatar i deklaruar është 0.19 cent për kilogram (bazuar në koston reale të prodhimit të miellit dëshmon se çmimi i eksportues nga Serbia, është më i ulët se sa kostoja e prodhimit në Kosovë për rreth 31.80 për qind. Po ashtu në këtë Memo thuhet se me 22 shtator të këtij viti Departamenti i Tregtisë ka përcjellë te Ministria e Tregtisë e Serbisë, njoftimin për fillimin e hetimeve zyrtare dhe pyetësorin me qëllim marrjen e informatave , mirëpo pala serbe nuk ka shpreh gatishmëri për bashkëpunim për arsye që tashmë duhen.

Thuhet se në vitin 2016-të sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë së Kosovës janë mbjellë me grurë 80.806,3 hektarë me një prodhimtari prej 358.017 ton, ku rendimenti mesatar për një hektarë ka qenë 4.4t/ha. Krahasuar me vitin 2015-të ka sipërfaqe më të vogël për 1.247,7 ha.

Back to top button