Lobisti i Rusisë, deklarime të ndryshme për takimet e fushatës

Burt ka kundërshtuar dëshminë e Sessions

Lobisti për interesat e Rusisë, Richard Burt ka kundërshtuar dëshminë e kryeprokurorit amerikan Jeff Sessions në Kongres që mohoi të ketë patur kontakte me persona të kësaj sfere gjatë fushatës presidenciale të Donald Trump në SHBA.

Burt, i cili ka ndihmuar dhe në hartimin e një fjalimi tejet të rëndësishëm të Presidentit për politikën e jashtme, sqaroi se ka marrë pjesë në dy darka të shtruara nga Sessions gjatë fushatës në vitin 2016.

I pyetur nga “The Guardian” nëse Sessions e dinte se çfarë pune bënte ai, ish-ambasadori amerikan në Gjermani gjatë administratës së Reganit, përgjigjet se nuk e di. Por, fakti që Burt është lobist për interesat e Moskës është i njohur, e sqarohet më së miri edhe në të dhënat publike.

Sessions, i cili në atë kohë shërbente si kryetar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare në fushatën Trump, raportohet ta ketë ftuar Burtin për të diskutuar me të çështje të brendshme të sigurisë dhe të tjera të politikës së jashtme.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së e mohoi me forcë të martën përpara një komisioni të Senatit të ketë patur ndonjë bashkëpunim me Rusinë për të ndikuar në presidencialet e vitit që shkoi.

Back to top button