“Loja e jetës” filmi që trajton situatën e vitit 1999 në Kosovë

Filmi “Loja e jetës” me skenar dhe regji të Luan Kryeziut trajton situatën e krijuar gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Për portalin rtv21.tv regjisori Luan Kryeziu ka treguar se ngjarja është e fokusuar në ditën e fundit të luftës në Kosovë dhe trajton një situatë të shkëmbimit të pengjeve ndërmjet disa luftëtareve shqiptar dhe ushtrisë e policisë serbe.
“Pra ngjarja ndodhe ne Kosovë në ditën e nënshkrimit te marrëveshjes se tërheqjes se forcave ushtarako policore serbe nga Kosova. Pra bëhet fjalë për shkëmbimin e një gruaje me një gjeneral serb, në rrethana krejtësisht të pa mundura. Ngjarja trajtohet sikur në kohë reale dhe në kuptimin artistik e realizuar në mënyrë realiste”, ka thënë ndër tjera Kryeziu.
Duke u bazuar në ngjarjen e filmit janë zgjedhur aktorë të ndryshëm nga etni dhe kombe të ndryshme. Ai madje ka treguar arsyen pse nuk janë bërë publike emrat e aktorëve ende.
“Bazuar në ngjarjen dhe bashkëproduksionet në film do të ketë aktor të ndryshëm, nga etni të ndryshme dhe kombe të ndryshme. Për shkak të rrethanave të caktuara, si psh: ndryshimeve për kohen e xhirimeve, ne ende nuk kemi bërë publike emrat e aktorëve të përzgjedhur për rolet, por uroj që shumë shpejtë do të dalim me njoftimet. Procesin e punës e stopoi Covid 19, por tani duket se masat janë lehtësuar dhe uroj shumë shpejtë do të bëhen publike të gjitha informatat e nevojshme”, ka shtuar Kyreziu.

Xhirimet e këtij filmi me histori të veçantë ishin planifikuara të fillojnë vitin e kaluar, por situata epidemiologjike me Covid-19 e bëri të pamundur.
Kryeziu për rtv21.tv ka treguar se ky film do xhirohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kosovë dhe Shqipëri.
Për realizimin e këtij filmi, Luan Kryeziu ka thënë se ka marrë mbështetje nga Institucionet e Kosovës.
Veç kësaj Kryeziu ka treguar se mbështetje ka marrë edhe nga produksionet amerikane dhe nga një produksion i Turqisë.
“Kur realizon një film me temë lufte gjithnjë kërkohet buxhet më i madh, përkushtim artistik më i madh dhe sidomos organizativ. Dihet që për realizimin e një filmi të gjatë financat nuk mjaftojnë kurrë sepse kërkesat janë gjithmonë në rritje për kualitet dhe trajtim artistik. Thuhet për film: aq sa ke buxhet, aq e lëshon imagjinatën artisti”, ka thënë Kryeziu.
Sipas Kryeziut e rëndësishme është që për realizimin e filmit “Loja e jetës” është gjithçka në rregull.
Me tematiken e veçantë që ka ky film synohet të shfaqën vlera kombëtare, historike e artistike.
“Trajtohet lufta si fenomen shkatërrues, në të cilën të gjitha palët dalin me humbje dhe shpesh dëme të pa riparueshme njerëzore. Situata trajtohet si lufta e pa barabarte e familjes me pushtetin. Është një lojë e pa barabartë e cila historikisht vazhdon ku në kuptimin njerëzor gjithmonë familja fiton, ndërsa në kuptimin ushtarak fiton pushteti. por të dyja palët në një mënyrë janë humbëse. E veçanta trajtohet kur kemi të bëjmë me një sundues mizor, të frymëzuar e edukuar në mënyrë agresive, kundër paqes dhe lirisë së tjetrit, për ambicie çnjerëzore të bazuar në komplekset e deformimeve psikologjike”, ka thënë Kryeziu.
Sipas regjisorit, mesazhi thelbësor në film është dashuria për familjen, rëndësia e lirisë dhe paqes në çdo popull, shoqëri apo familje./21Media

Back to top button